Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin Francez Emmanuel Macron. Zelensky ka theksuar se në fokus të bisedimeve ishin mbrojtja ajrore e Ukrainës, duke nënvizuar se sistemet dhe raketat janë të domosdoshme për të mbrojtur qytetet ukrainase nga sulmet ruse.

Zelensky po ashtu falënderoi Francën për mbështetjen e saj të vazhdueshme.

“Falënderoj Francën që bën kaq shumë për të mbrojtur jetën tonë. E informova Presidentin Macron për prioritetet tona dhe para së gjithash për mbrojtjen ajrore – sistemet dhe raketat e nevojshme”, shprehet Zelensky.

Presidenti ukrainas theksoi se Rusia po përpiqet të përfitojë nga situata ndërkombëtare, pasi vëmendja e vendeve është përqendruar në Lindjen e Mesme dhe çështjet e brendshme.