Zëvendësministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Edona Bilali, ka ndarë një moment të rëndësishëm të karrierës së saj profesionale, duke bërë të ditur se ka nisur një angazhim të ri akademik në Austri. Ajo do të jetë lektore pranë universitetit të njohur FH-Wien në Vjenë, ku do të zhvillojë mësim për studentët e programeve të masterit në Inovacion Dixhital dhe Inovacion Teknologjik Dixhital.
Bilali, e cila ka një përvojë 15-vjeçare në fushën e mësimdhënies në Shqipëri, e cilëson këtë etapë si një “dritë që ndriçon pavarësisht largësisë”, duke vënë në dukje se puna e bërë me pasion kapërcen çdo kufi.
“Ky angazhim nuk është thjesht një etapë profesionale, por një kujtesë e bukur se puna me zemër është si drita – sado larg të jesh, ajo gjen gjithmonë mënyrën të ndriçojë,” shkruan Bilali në një postim në rrjetet sociale.
Zëvendësministrja shprehet se ky vlerësim merr edhe më shumë peshë për shkak të lidhjes shpirtërore me Vjenën, qytet ku ajo mori vlerësimin më të lartë “Summa Cum Laude” për studimet e saj doktorale, por edhe për afërsinë kulturore që ndan me qytetin e saj të lindjes, Shkodrën.
Bilali thekson se do të udhëtojë drejt Vjenës vetëm disa fundjava në vit, ndërsa detyra e saj si zëvendësministre mbetet prioriteti kryesor. Ajo i ka dhënë gjithashtu një mesazh motivues të rinjve shqiptarë, duke i nxitur të besojnë në forcën e punës dhe përkushtimit:
“Puna e bërë me zemër nuk ka nevojë për zhurmë – ajo vetë gjen rrugën për t’u dëgjuar. Prandaj durim, sepse mundi nuk shkon kurrë dëm.”