Nga Skender Minxhozi/

E fundit herë që e majta dhe e djathta në këtë vend kanë ndarë një garë të vërtetë elektorale, ka qenë katër vjet më parë. Berisha asokohe ishte vetëm një pensionist luksi që luante gurët pas shpinës së Lulzim Bashës. Ilir Meta ishte president e jo i burgosur, ndërkohë që Monika Kryemadhi luftonte për vota siç vetëm ajo di të bëjë. Qeveria e pa veten atë vit në një konkurencë të vërtetë zgjedhore, e cila po të kishte brenda elementin e krijimit të koalicioneve, do të kishte shkaktuar edhe më tepër kokëçarje për Ramën në finishin e garës.

Krahasuar me ato zgjedhje, ku opozita ju afrua rrezikshëm shifrave të qeverisë në votë popullore, këto të 11 majit ishin thjesht një provë e dytë e pafuqisë politike të Sali Berishës. Prova e parë, ajo e zgjedhjeve lokale të vitit 2023 bëri që opozita të merrte vetëm 7 nga 61 bashkitë e vendit. Ra Shkodra dhe Bajram Curri, sa për të cituar dy fortesa të të djathtës. Edhe në vitin 2021 Basha e të tjerët kishin përballë të njëjtin kundërshtar me të njëjtat qasje e kapacitete për të akumuluar vota, por rezultati doli ndryshe. Rënia e PD nuk gjendet vetëm tek babëzia e socialistëve për të vjedhur zgjedhjet, por mbi të gjitha tek cikli i shprishur politik në kokën e partisë, ku Basha e Berisha luajtën vallen e shpatave duke bërë lëmsh lidershipin e momentit dhe para gjithçkaje tjetër, të ardhmen e PD.

Raporti i vëzhguesve të OSBE-ODIHR nuk e shkarkoi opozitën nga faji i 50 mandateve, duke ja faturuar humbjen katastrofike (13 deputetë më pak se viti 2021) vetëm abuzimit me pushtetin nga ana e qeverisë. Zgjedhjet ishin konkuruese thotë raporti. Gjithçka që del përtej këtij koncepti është pjesë e leximit të rezultatit të zgjedhjeve, jo vetë leximi. Dhe një pozicionim i tillë i vëzhguesve ndërkombëtarë ka qenë një standarte e të gjitha proceseve zgjedhore në Shqipëri qyshse ato mbahen mend. Dikur thuhej “parregullsitë nuk prekën thelbin e rezultatit”, kurse më pas me kalimin e viteve ky formulim është zëvendësuar me togëfjalëshin “zgjedhje konkuruese”.

Parregullsitë e vëna re në përdorimin e aseteve qeveritare në procesin elektoral janë një sëmundje bashkëshoqëruese e tranzicionit shqiptar. Kushdo që ka pasur pushtetin, është munduar ta përdorë për të gjeneruar vota. Ka pasur fjala vjen nga ata që inauguronin tunele autostradash pak orë para votës dhe që sot skandalizohen nga përdorimi i parasë publike për vota partiake.

Opozita e dinte qysh para zgjedhjeve se në lojë në 11 maj nuk ishte çeshtja e pushtetit, por përmasa e humbjes. Dhe humbja erdhi në dimensione të ngjashme me zgjedhjet lokale. Këtu bashkitë e humbura u zëvendësuan me mandate parlamentare të lëna rrugëve, diku në favor të partive të reja, diku tjetër në favor të qeverisë.

Në thellësinë dhe hendekun që kanë krijuar me palën kundështare, humbjet e dy votimeve të fundit nga opozitës rikonfirmuan, nëse ka pasur nevojë ta bëjnë, diagnozën tashmë të qartë që e mban opozitën të lidhur pas karros së humbësit. Lidhja e fatit personal të Berishës me partinë e tij krijon jo vetëm stanjacion dhe lidhje këmbësh me zinxhir për PD, por ndalon edhe të gjithë procesin politik që lidhet me rotacionin e lidershipit në pjesën tjetër të spektrit politik. Sa të jetë aty Berisha, aty do të jenë edhe krerët e tjerë partiakë që datojnë nga dekada e parë apo e dytë e pluralizmit.

Insistimi i Doktorit këto orë për të rikandiduar për kreun e partisë në pranverën e ardhshme, teksa kundërshtari i tij historik i dalë nga politika para 20 vjetësh (dhe 9 vjet më i ri se ai) lufton me jetën në një spital të Tiranës, është ironia e madhe që mban sot lidhur opozitën dhe fatin e saj elektoral. Sa herë që në horizont shfaqen një palë zgjedhje, siç ka ndodhur në dy vitet e fundit. Sa herë që në PD dikush hap si pa dashje temën e rotacionit të elitës më lartë drejtuese. PD kokën e ka në vitet ’90, kurse trupi lufton e përpëlitet në dekadën e tretë të viteve 2000. Ky Frankenshtajn politik është ende sot rrethana parësore e garancisë për fitore e socialistëve të konsumuar nga 12 vite pushteti.

Në këtë sens raporti i fundit mbi zgjedhjet e 11 majit nuk është as Grali i shenjtë dhe as sfera e kristalit për të korrigjuar një situatë fatalisht të bllokuar në kokën e Partisë Demokratike. Përveç vitit 1996, kur opozita fillimisht u vodh masivisht në ditën e zgjedhjeve, e dy ditë më pas hëngri edhe një dru kolektiv në sheshin Skënderbej në sytë e vëzhguesve të tmerruar pas xhamave të Hotel Tiranës – pra përtej këtij rasti ekstrem, asnjë mision vëzhgimi nuk ka dhënë opinion refuzues dhe skualifikues për zgjedhjet shqiptare.

Duke mos e ribërë nga e para fabulën e zgjedhjeve dhe duke mos vënë në pikëpyetje rezultatin final, raporti i OSBE-ODIHR e le elitën partiake të vendit në listën e saj të sëmundjeve endemike. Zgjidhja për humbjen nuk gjendet tek raportet e ndërkombëtarëve, por kryesisht brenda mureve të partisë humbëse. Natyrisht të një partie që ka fuqi dhe vullnet ta shohë krizën në sy, e jo të duartrokasë për kryetarin edhe në mes të qametit./JavaNews