Për anëtaren e Këshillit Kombëtar të PD Ilirjana Kuçana, kandidati që do të garojë përballë Ogerta Manastirliut në zgjedhjet lokale për Tiranën duhet që të ishte një kandidatë politik.

E ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv ajo tha se kandidati duhej njeri me integritet.

‘Unë për Tiranën kam qenë për një kandidatë politik. Pra duhej një kandidat politik i PD për Tiranën. Fokusi jonë duhet që të shkojë në këtë fushatë për zgjedhjet lokale për të shkuar më pas tek gara e madhe që është në 2027 ku patjetër që PD nuk ka më justifikime duhet që të gjejmë kandidaturat më mira dhe duhet që ti gjejmë shpejtë. Kandidati duhet njeri me integritet dhe që ua di hallet dhe problemet qytetarëve të Tiranës’, tha ajo.

Kuçana përmendi edhe disa emra që sipas saj mund të ishin kandidatët e duhur për të qenë në garë për Bashkinë e Tiranës.

‘PD gjykoi që të ishte bashkë me partitë opozitare dhe me aleatët, por unë kam qenë për kandidatë politikë, Ilir Alimehmeti do ishte një kandidatë i duhur, po ashtu Jorida Tabaku do ishte një emër i mirë në garë për bashkinë e Tiranës’, tha ajo.

Për Kuçanën, PD duhet që të bëjë një analizë të thellë për humbjen në zgjedhjet e 11 majit.

‘PD duhet që të bëjë një analizë të thellë për zgjedhjet e 11 majit dhe duhet që të rinovohet dhe ka nevojë për energji të reja, duhen njerëz me shumë integritet. Pra duhen njerëz që nuk kanë konsumuar pushtet, është e rëndësishme që të dalësh para njerëzve dhe të mos kesh frikë se çfarë mund të thonë ata për ty’, tha ajo.