Në seancën për shkarkimin e ish-kryebashkiakut të Tiranës, këshilltari i Presidentit, Ilir Rusmali tha se dekreti i kreut të shtetit erdhi pasi doli akti i shkarkimit.

Sipas tij Gjykata nuk mund të shqyrtojë dekretin e Presidentit, që doli si detyrim ligjor pas shkarkimit të Veliajt.

“Ju në vend të pezulloni aktin për të cilin jeni me kushtetutë kompetentë, tërhiqni një akt tjetër që nuk jeni kompetentë, për shkak se doni që të mos vijë pasoja që sjell akti që ju jeni kompetentë. Zgjedhjet caktohen për shkak se ka një akt shkarkimi. Nëse pezullohet akti i shkarkimit, pezullohet edhe veprimi i presidentit. Ne nuk u paragjykojmë, por kini parasysh që kur vihen në një pozicion të tillë, duhet të nxjerrin akte se kanë detyra për të zbatuar. Institucionet udhëhiqen në leximin e Kushtetutës nga e shkuara. Ju jeni të lirë të ndryshoni qëndrimin. Mund të thoni të kundërtat sot me ato të para dy viteve, por kanë vlerë për sot e mbrapa”, tha Rusmali.

Sipas tij “Është e rëndësishme që të gjithë të kuptojmë që siguria juridike dhe shteti ligjor kanë në themel kushtetutën dhe jurisprudencën tuaj. Ndihmoni institucionet që të zbatojnë kushtetutën. Mos u nisni nga një hall konkret, nisuni nga halli i madh i këtij vendi për të forcuar themelet e tij. Pjesa tjetër është debat konkret, është debat hallesh njerëzore. Ne kemi këtë merak”.