Dy nga zyrat ligjore më të njohura ndërkombëtare, Kasowitz LLP në Nju Jork dhe Mishcon de Reya LLP në Londër, që përfaqësojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë publikuar sot raportin e dytë, të përditësuar, lidhur me ndalimin e tij nga SPAK.
Raporti i ri e cilëson paraburgimin e Veliajt si “persekutim politik”, duke theksuar se mbajtja e tij në burg është “pa bazë ligjore dhe e motivuar nga interesa politike”.
“Raporti shqyrton motivimet e dukshme dhe të papërshtatshme politike që qëndrojnë në themel të çështjes së SPAK-ut ndaj tij,” – thuhet në dokumentin e përbashkët të dy studiove.
Sipas raportit, Veliaj mbahet në paraburgim ndonëse nuk paraqet asnjë rrezik për arratisje apo pengim të procesit gjyqësor. Raporti vë në dukje se qëndrimi i tij në qeli “ka shërbyer si pretekst për ta larguar atë nga detyra në mënyrë antikushtetuese”.
“Hetimi ndaj Veliajt nuk është i zakonshëm”
Raporti i përditësuar, i titulluar “Raport lidhur me përndjekjen politike të Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës”, është një version i zgjeruar i dokumentit të publikuar më 24 qershor 2025.
“Ngjarje kyçe gjatë tetë muajve të fundit kanë krijuar përshtypjen e pamohueshme se hetimi penal ndaj Veliajt nga SPAK-u nuk është një hetim i zakonshëm,” – thuhet në raport.
Studiot theksojnë gjithashtu se refuzimi për t’i dhënë lirimin me kusht Veliajt, ndërkohë që 17 të pandehur të tjerë në të njëjtën çështje janë liruar me kushte minimale, ilustron “pabarazinë e theksuar në mënyrën si është trajtuar ai nga autoritetet shqiptare”.
“Paraburgimi, pretekst për shkarkim politik”
Raporti ndalet edhe tek zhvillimet politike që pasuan arrestimin e Veliajt. Ai thekson se vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës për ta shkarkuar Veliajn nga detyra, dhe shpallja e zgjedhjeve të reja nga Presidenti, krijojnë përshtypjen se paraburgimi i tij është përdorur si instrument politik.
“Ky vendim ka shërbyer si pretekst që autoritetet shqiptare të përpiqen ta largojnë në mënyrë antikushtetuese nga detyra dhe t’u mohojnë qytetarëve të Tiranës të drejtën e vetëqeverisjes,” – nënvizohet në raport.
Gjykata Kushtetuese ka pezulluar aktualisht çdo veprim për zëvendësimin e Veliajt deri në përfundim të shqyrtimit të ankesës së tij.
Krizë kushtetuese dhe shkelje të procesit të rregullt ligjor
Raporti e përshkruan këtë situatë si “një krizë kushtetuese që vë në pikëpyetje angazhimin e Shqipërisë ndaj procesit të rregullt ligjor”, duke shtuar se manovrat politike të fundit “kanë cenuar prezumimin e pafajësisë dhe lirinë e kryebashkiakut Veliaj përpara fillimit të gjyqit”.
Një kopje e plotë e Raportit të Përditësuar Veliaj është e disponueshme për publikun, ndërsa çdo kërkesë për informacion mund të drejtohet tek Shannon O’Reilly ([email protected]
).
Ekipi i Kasowitz LLP përfshin partnerët Daniel J. Fetterman dhe Brian S. Choi, si dhe këshilltarët Clarine Nardi Riddle dhe David Miller.
Nga Mishcon de Reya LLP janë angazhuar partnerët James Libson dhe Ben Brandon, menaxherja Celia Marr, dhe bashkëpunëtoret Grace Houghton dhe Elizabeth Fitton.




















