Ka diçka që tejkalon kohën, që i reziston modës, stinëve dhe ndryshimit. Është thelbi i Juventusit, një ndjenjë që ripërtërihet pa humbur kurrë shpirtin e saj.
Sot, në ditën kur klubi bardhezi feston 128 vjet histori, zëri i një legjende si Alessandro Del Piero rezonon për të na kujtuar se çfarë do të thotë të jesh pjesë e kësaj familjeje. Tradita, krenaria, eleganca, pasioni: vlera që bashkojnë breza tifozësh në një përqafim të pafund. “Historia jonë ripërtërihet. Identiteti ynë nuk ndryshon. Ne jemi Rinia. Që nga viti 1897, dhe përgjithmonë.” Ky është mesazhi që shoqëron festimin e një përvjetori që nuk është vetëm një moment historik, por një mënyrë jetese. Sonte, ndërsa Juve del në fushë në Kremona për javën e dhjetë të Serie A, ajo ndjenjë përkatësie bëhet edhe më e fortë.
Del Piero dhe mesazhi prekës për Juventusit
Në videon festive të publikuar në kanalet zyrtare të klubit, zëri i Alessandro Del Pieros mishëron shpirtin e Juventusit. Fjalë të thjeshta por të thella shprehin një dashuri që nuk njeh kufij: “Emri ynë është identitet, do të thotë rini. Të lindur në 1897, por koha nuk na përcakton. Ne jemi një simbol i elegancës, traditës dhe krenarisë italiane, të “gdhendura” mbi ne si një lëkurë e dytë.” Del Piero, kapiten dhe legjendë e Juventusit, flet nga zemra, duke na kujtuar se Juventusi është më shumë se një ekip, është një ide, një mënyrë për të qenë: “Ne kemi rrënjë të thella, një dëshirë të vazhdueshme për të shkuar më tej, për t’u përmirësuar gjithmonë. Ne jemi aty ku koha nuk ka mbërritur ende.” Fjalët e tij rrjedhin midis imazheve ikonike, fitoreve dhe fytyrave që kanë bërë histori. “Suksesi ynë nuk ka të bëjë vetëm me fitoret, ka të bëjë me stilin, ka të bëjë me mënyrën se si fitojmë, ka të bëjë me klasin, ka të bëjë me shpirtin.” Një histori që kulmon me një deklaratë të përjetshme dashurie: “Historia jonë vazhdon, e shkruar sot, e shkruar nesër. Ne jemi Juventus, që nga viti 1897 dhe përgjithmonë. Që nga viti 1897, kemi mbajtur një emër që përfaqëson shumë më tepër sesa një ekip. Është një shenjë identiteti. Një mënyrë të qenit.”




















