Ish-prokurori Ervin Karanxha, tha se nuk është ushtruar siç duhet ndjekja penale e zyrtarëve shtetërorë për ngjarjen e 21 janarit 2011.

Në këtë ngjarje u vranë katër qytetarë të pafajshëm, të cilët protestonin para godinës së kryeministrisë.

“Kjo çështje duhet të ishte hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Duhej të hetohej. Përgjegjësia bie mbi kryeprokuroren Ina Rama, e cila duhej të kishte marrë përsipër hetimet.

Mosushtrimi i ndjekjes penale është shpërdorim detyre. Për 21 janarin nuk u hetuan zyrtarët. Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm, por nuk u pyet për ngjarjen,” tha Karanxha.

Ai shtoi më tej se mund të ketë persona të tjerë, që mund të disponojnë kopje të serverit të kryeministrisë.

“Serveri i Kryeministrisë është riformatuar dhe riformatimi ka qenë i atillë që të dhënat nuk rikuperohen më. Urdhri i dhënë duhet të hetohet. Mund të jetë edhe një person tjetër që e ka kopjen e serverit”, tha ai në “Ora e Fundit” në ABC News.