Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), kremtoi 25 vjetorin e themelimit, duke mbledhur në event personalitete të ekonomisë dhe politikës, të cilët shprehën vlerësimin, rolin dhe rëndësinë e profesionit të kontabilistit.

Presidenti i Institutit të Kontabilistëve, Sotiraq Dhamo, u shpreh se gjatë këtyre viteve, IKM ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për evoluimin e profesionit të kontabilistit.

Kryetari i Bordit të Mbikëqyrës Publike, z.Dritan Fino, deklaroi se, profesioni i kontabilitetit përballet me sfida të reja, që kërkojnë vizion, investim dhe përshtatje të shpejtë.

“Përdorimi i teknologjive të reja, automatizimi dhe dixhitalizimi i proceseve; nevoja për aftësi të reja analitike dhe dixhitale, si dhe konkurrenca globale dhe standardet gjithnjë e më të larta, janë disa nga sfidat e profesionit të kontabilistit”, theksoi në fjalën e tij, Dritan Fino.

Gjatë diskutimeve në panel, u mësua se projekti “Forcimi i cilësisë së auditimit dhe raportimit në Shqipëri (SQARP), ka dhënë inpakt në forcimin e rolit mbikëqyrës të BMP dhe një standard më të struktuar në funksionet dhe shërbimet e kontabilitetit, siç është “Forensic” (kontabiliteti hetimor).

Ish-ministri i financave Arben Malaj, e cilësoi të rëndësishëm rolin e kontabilistit, në epokën e inteligjencës artificiale.

Ndërsa kryetarja e komisionit të ekonomisë, Milva Ekonomi, teksa vlerësoi rolin e kontabilistëve, kërkoi që ata të japin ndihmesën e tyre në luftën kundër informalitetit.

Si anëtar i organizatave të rëndësishme financiare në botë,
IKM, ka luajtur një rol të rëndësishëm përgjatë këtyre 25 viteve për transformimin e profesionit të kontabilistit.

Me përvojën e fituar dhe reputacionin e konsoliduar, IKM mbetet i përkushtuar ndaj inovacionit dhe transformimit digjital dhe përmirësimit të shërbimeve profesionale. Puna e kontabilistëve synon rritjen e ndikimit të këtij profesioni në zhvillimin ekonomik të vendit