Nga Eduard Zaloshnja

Në 9 nëntorin e mbytur nga shira të rrëmbyeshëm, 334.5 mijë zgjedhës të bashkive Vlorë, Berat, Cërrik, Mat e Tepelënë kishin të drejtën të shkonin për të votuar në qendrat e votimit. Por 5/10 e tyre (më saktësisht 51.5%) nuk kishin mundësi praktike të votonin, sepse janë në emigracion (për zgjedhjet lokale ata nuk mund t’i dërgonin votat me postë).

Në shifrën e mësipërme arrihet duke kryqëzuar të dhënat zyrtare të KQZ-së me ato të INSTAT-it. Sipas KQZ-së, 334,539 shtetas kishin të drejtë të votonin më 9 nëntor në pesë bashkitë. Ndërkohë sipas INSTAT-it, vetëm 162,071 shtetas në moshë për votim banojnë në këto bashki (afërsisht 5/10).

Ndër 162 mijë zgjedhësit që banojnë në pesë bashkitë e 9 nëntorit, pothuaj 40% morën pjesë në zgjedhje (më pak se 2/10 e zgjedhësve gjithsej në lista). Dhe treçereku i pjesëmarrësve votoi për kandidatë socialistë (pa llogaritur këtu një kandidate socialiste në Bashkinë Mat, e cila kandidoi si e pavarur).

Të përmbledhura shifrat e mësipërme ilustrohen në grafikun e mëposhtëm.