Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i është drejtuar GJKKO me një kërkesë për t’u njohur me aktet e dosjes në ngarkim të tij. Prej 9 muajsh në burg, Veliaj thotë se nuk i është lejuar që të lexojë asnjë faqe dhe se USB-ja që i është dorëzuar avokatëve nuk mund të përdoret në burg. Po ashtu, ai pretendon se aktet e depozituara në gjykatë nuk përputhen me ato të depozituara në USB nga SPAK.

Ai kërkon një kopje fizike të dosjes dhe që të ketë kohë të mjaftueshme për ta lexuar që të përgatitet për mbrojtjen. Sipas tij, mosvënia në dispozicion e dosjes cënon të drejtën për mbrojtje efektive dhe përbën shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në kërkesë, theksohet se vazhdimi i procedurës pa garantuar këtë të drejtë elementare e bën të pavlefshëm çdo hap të mëtejshëm dhe e shndërron procesin në një formalitet që cenon drejtësinë.

“Nëse gjykata, pavarësisht kësaj kërkese legjitime dhe detyrimeve të saj të drejtpërdrejta kushtetuese, vijon të refuzojë të drejtën time për t’u njohur me aktet, atëherë jam i detyruar të deklaroj me përgjegjësi të plotë se: Vijimi i procesit pa u njohur unë personalisht me dosjen përbën një mohim thelbësor të drejtësisë, një shkelje flagrante të garancive kushtetuese dhe një tregues serioz se gjykata nuk po ruan distancën e nevojshme nga pretendimet e prokurorisë, por po shndërrohet në pjesë të një skenari procedural të ndërtuar prej saj. Një proces në të cilin: prokuroria grumbullon për dy vite dokumente e mijëra faqe pa asnjë filtër, pa asnjë analizë selektive dhe pa asnjë orientim substancial të hetimit; gjykata shpejton procedurën në mënyrë të pashpjeguar dhe pa asnjë arsye kushtetuese apo ligjore; dhe i akuzuari nuk ka mundësi të njihet personalisht me dosjen mbi bazën e së cilës i është hequr liria; nuk mund të konsiderohet më një proces gjyqësor, por shndërrohet në një procedurë formale ku drejtësia zhvishet nga kuptimi i saj real dhe gjykata vendos veten, me veprim apo mosveprim, në funksion të një skenari të ndërtuar nga prokuroria dhe të riprodhuar mekanikisht edhe nga vetë ajo.

Unë nuk kam përgjegjësi dhe as mund të kem për faktin që prokuroria ka zgjedhur të hetojë për dy vite me radhë, të prodhojë 60.000 faqe aktesh dhe të lodhet në përpjekjen për të ndërtuar një akuzë që më mohon lirinë. Kjo kohëzgjatje dhe ky volum nuk mund të kthehen në mënyrë absurde në një barrë shtesë kundër meje, duke më mohuar kohën dhe mundësinë minimale për t’u mbrojtur. Prandaj, lodhja, koha, volumi dhe ritmi i prokurorisë nuk janë dhe nuk mund të jenë asnjëherë arsye për të më shkelur të drejtën e mbrojtjes. Ato janë zgjedhje të organit të akuzës jo arsye për të kufizuar më tej të drejtat e mia kushtetuese.”, thuhet në kërkesën e Veliajt.

Më datë 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Veliajt, duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Gjykata rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në këtë bashki. Ndërkohë, sot, kryeministri Edi Rama e komentoi sërish këtë vendim, teksa tha se qëllimi ishte që Tirana të mos mbetej pa kryetar. Ai shtoi se pas këtij vendimi, gjykata duhet që të jetë edhe zgjidhjen që ta kthejë në zyrën e tij kryetarin e zgjedhur të Tiranës.