Zëdhënësja e Usha Vance ka hedhur poshtë thashethemet për një krizë martesore mes saj dhe Nënpresidentit të SHBA-ve, JD Vance, pas spekulimeve të përhapura në rrjetet sociale ditët e fundit.

Zërat nisën pas vizitës së Ushas më 19 nëntor në bazën ushtarake Camp Lejeune në Jacksonville, Karolina e Veriut, ku ajo u shfaq pa unazën e martesës teksa ndodhej përkrah Zonjes së Parë, Melania Trump.

Sipas zëdhënëses, arsyeja ishte shumë më e thjeshtë sesa aludohej në media: Usha, nënë e tre fëmijëve të vegjël Ewan, 8 vjeç, Vivek 5 vjeç dhe Mirabel, 3 vjeçe e kishte harruar unazën para daljes publike.

“Usha është nënë e tre fëmijëve të vegjël, lan shumë enë, u bën shumë banja fëmijëve dhe ndonjëherë e harron unazën”, deklaroi ajo për revistën People.

Çifti, i cili u njoh gjatë studimeve në Yale Law School, është i martuar që prej vitit 2014. Megjithatë, së fundmi thashethemet u ndezën edhe më shumë pas një momenti viral ku JD Vance u pa duke përqafuar Erika Kirk, të venë e aktivistit konservator Charlie Kirk, gjatë një eventi të Turning Point USA.

Erika Kirk shpjegoi se përqafimi ishte thjesht një gjest mbështetjeje dhe madje foli publikisht me vlerësim për Ushën, e cila, sipas saj, i kishte dhënë fjalë inkurajuese në një moment të vështirë.

Në javët e fundit, JD Vance ka qenë gjithashtu në qendër të vëmendjes pas deklaratës së tij se shpreson që Usha të konvertohet një ditë në fenë katolike.