Shpesh dëgjojmë se shqiptarët “nuk ngrihen”, “nuk protestojnë”, “nuk reagojnë”. Por kjo është vetëm një nga ato mite që politika, në të gjitha ngjyrat e saj e ushqen për t’u vetëjustifikuar.

E vërteta është e thjeshtë dhe brutale: shqiptarët kanë protestuar. Dhe janë vrarë për këtë. Ajo që po ndodh nuk është mungesë reagimi. Është një reagim më i thellë, më i qetë, më i ftohtë dhe më i pamëshirshëm: ikja.

Ikja është një akt politik. Kur qindra mijëra të rinj dhe familje lënë vendin, ata nuk po kërkojnë vetëm një jetë më të mirë. Ata po i dërgojnë politikës shqiptare një mesazh që s’ka asnjë nevojë për megafon: “Ne nuk ju besojmë më”.

Ikja është vota më e qartë kundër një klase politike që prej 30 vitesh nuk ka qenë në gjendje të prodhojë siguri për të nesërmen; të ushqejë ndjenjën se përpjekja e ndershme të çon diku. Ikja është një lloj referendumi i heshtur, ku kutitë e votimit janë aeroportet dhe portet.

Protesta klasike kërkon guxim, por protesta e ikjes përfaqëson diçka më të thellë. Është heqja dorë nga besimi se ky vend mund të ndryshojë përmes partive të sotme, përmes liderëve të konsumuar apo institucioneve që qytetarët nuk i shohin më si të tyre.

Ne jemi popull i rraskapitur nga tradhtia. 21 janari ishte kulmi i një zemërimi popullor ndaj korrupsionit dhe arrogancës së pushtetit. Doli populli, pa thika, pa armë. Doli vetëm me zhgënjimin. Dhe çfarë ndodhi? U vra me plumba. Për çfarë? Për të parë pastaj se si partia që i ngriti ata në protestë dhe partia që ishte akuzuar për korrupsion bashkuan duart, më pas në qeverisje të përbashkët sikur gjaku i protestuesve të mos kishte rëndësi.

A duhet që sot njerëzit të kthehen prapë në shesh, të rrihen, të goditen me gaz lotsjellës, të vriten? Për çfarë? Për një opozitë që nuk jep asnjë garanci se është ndryshe nga pushteti që denoncon?

Shqiptarët nuk ikin se nuk dinë të protestojnë. Shqiptarët ikin sepse nuk i besojnë më askujt. Çfarë ironi e hidhur që njeriu nën mandatin e të cilit u vra protesta më e madhe qytetare në 30 vjet, 21 Janari, sot ankohet se “shqiptarët nuk protestojnë më”. Është absurde të kërkosh turmën që vetë e vrave. Nëse ky paradoks i shpëton atij apo atyre që sot vajtojnë mungesën e popullit në protesta, atëherë problemi nuk është tek populli, por tek kjo “elitë politike” që nuk e marrka vesh se heshtja është plagë që e kanë shkaktuar vetë.

Në një kënd të majtë politik, ikja është edhe simptomë e një sëmundje të vjetër: mungesa e shtetit social, deformimi i plotë i solidaritetit shoqëror. Në një vend të qeverisur nga një parti që e quan veten socialiste, arsimi, shëndetësia, rendi, siguria janë zhveshur nga funksioni i tyre publik dhe janë kthyer në shërbime të cilat u jepen vetëm atyre që kanë mundësi të paguajnë. Paraja është bërë “fe” kombëtare. Në këtë terren pabarazie, ku shteti tërhiqet dhe qytetari lihet vetëm, pse çuditemi nga ikja? Është pasojë direkte e një “socializmi” që të tillë ka vetëm emrin, sepse i ka braktisur njerëzit shumë përpara se njerëzit ta braktisnin vendin.

Pra kë të zgjedhësh? E ashtuquajtura e djathtë mbron interesat e një grushti, më saktë të një familje. E ashtuquajtura e majtë përfundoi duke ndërtuar një elitë të re privilegjesh. Partitë e reja që duhej të sillnin çarjen e murit, u konsumuan shpejt në personalizma, pazare të vogla, mungesë vizioni. Populli ka vetëm daljen.

Këtu qëndron drama e madhe: ikja është protestë, por është edhe një dorëzim kolektiv. Është një protestë që dëmton pikërisht atë që kërkon të mbrojë: fabrikat e mendjeve, duarve, të ardhmen.

Por i ikuri nuk është i pabesë. I ikuri është dikush që ka kuptuar se sistemi nuk ka ndërmend të ndryshojë, se rotacioni është një mashtrim i vjetër, se politika shqiptare është riorganizim kastash.

A do të rikthehet protesta klasike? Më shumë sesa një pyetje, kjo është një dilemë thelbësore. A ka një pikë ku një popull e kupton se largimi është vetëm një arratisje, jo një zgjidhje? A ka një pikë ku angazhimi kolektiv (ajo që e majta e quan “dinjitet social”) rikthehet për të kërkuar një shtet që funksionon?

Kjo do të varet nga një faktor i vetëm:

A do të lindë ndonjëherë një opozitë që frymëzon, jo vetëm instrumentalizon?

Deri atëherë, aeroportet do të mbeten sheshet tona të protestës, të qeta, të rregullta, të heshtura, por më politike se çdo miting apo foltore./Dita