Ish-drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë SPAK, Aida Hajnaj, ka bërë padi në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku kërkon të pezullohet konkursi për drejtorë departamentesh. Hajnaj kërkon që të kthehet në postin e mëparshëm, në Policinë e Shtetit, zv.drejtoreshë e përgjithshme e policisë ose drejtoreshë departamenti.

Me pretendimin e saj, Hajnaj kërkon pezullimin e konkursit deri sa Gjykata të shpallë vendimin, ditën e martë, kur do të mbahet seanca e parë.

Mandati i Aida Hajnajt

Aida Hajnaj ka qenë drejtore e BKH-së deri më 1 shtator të këtij viti. Pasi i mbaroi mandati, ajo nuk është lejuar të kthehet në detyrë, por ndërkohë policia ka hapur garën për drejtorë departamentesh. Hajnaj mori zyrtarisht detyrën më 1 shtator 2020 dhe mandati i përfundon në muajin gusht. Pas 8 muajsh verifikime, SPAK zgjodhi Aida Hajnajn në krye të BKH-së, e cilësuar ndryshe si FBI-ja shqiptare. Asokohe, Hajnaj mbante postin e zv.drejtores së Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Hajnaj mori detyrën pas përzgjedhjes në një proces që nisi me 40 kandidatë dhe në fund mbetën 4 finalistë. Bashkë me të garuan edhe Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj. Kandidatëve iu bë “vettingu”, një test me shkrim dhe fizik, e po ashtu edhe testi i së vërtetës (poligrafi).