Jemi mësuar me shumë zhurmë. Kudo, kurdoherë. Dhe kur zhurma është e fortë nuk ke mundësinë të dallosh më të mirët mes nesh: Një poet të mirë, një shkrimtar të mirë, një këngëtar të mirë, një gazetar të mirë, një politikan të mirë, një inxhinier të mirë, një bukëpjekës të mirë, një prokuror të mirë, një fetar të mirë, një lulishtar të mirë, një mjek të mirë…
E keni venë re? Edhe kur disa nga ne shkojnë afër të bukurës dhe të mirës, bërtasin, ulërasin, bëjnë bujë dhe me bujën e tyre sfumojnë thelbin, detajin, mesazhin që e mira jep duke thënë se ekziston edhe mes nesh.
Tranzicioni sfilitës vazhdon të përcjellë për inerci jehonën e trazimit të gatuar me mjeshtëri nga skile të vjetra ballkanike. Dhe shumë prej nesh kanë dhimbje koke, konfuzion, strese dhe ankthe nga kjo kakofoni e tmerrshme në vendin me më pak metra katrorë në rajon.
Deri më sot, “më të mirët” na janë imponuar me forcë, me poteren e tyre sfilitëse. “Unë jam më i miri”, deklarojnë mes gjëmimit dhe i kemi pranuar, ashtu, të dorëzuar nga plogaria e imponuar. Por edhe kjo, do të kalojë.
Sot për sot, disa prej nesh kanë aftësinë të nxjerrin kokën përmbi rrëmujë dhe ata dallojnë dhe na sygjerojnë rrugë, individë, drejtësi, bukuri, paqe, që do të na përcjellë në normalitet dhe qetësi./Shqiptarja




















