Për analistin Aleksandër Çipa, mospërfaqësimi i PD nga kandidatët e vet në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit për 5 bashki në vend, është arsye që Sali Berisha të justifikojë humbjen në zgjedhje.
Në një lidhje skype për Report Tv, Çipa tha nuk pati asnjë test paraprak për të parë se kush ka pëlqyeshmëri nga kandidatët.
‘Të dyja palët në mënyrën si zgjodhën kandidatët u treguan tinzare dhe nuk respektuan norma të nxjerrës së kandidatëve nga strukturat e partive. Nuk pati test paraprak se kush ka pëlqyeshmëri nga ata. Opozita e Berishës refuzoi që të përfaqësohet me kandidatë të saj dhe mbështeti të pavarurit që kanë dakordësi prej opozitës. Kjo përbënë non sens logjik. Opozita zgjodhi këtë formulë tinzare që ta ketë të plotë alibin e humbjes në zgjedhje’, tha ai.
Çipa deklaroi se qytetarët kanë humbur besimin tek partitë politike, gjë e cila u tregua sipas tij edhe nga mospjesëmarrja në votim. Ai theksoi se mospjesëmarrja në votim është një protestë e heshtur.
‘Konsumizmi politikë në dy kahet e politikës është realiteti i krizës dhe mosbesimit që vihet re në skenën politike të vendit, refuzimi për të votuar është domethënie e madhe. Opinioni publik ka nevojë që të dalë nga kjo gjendje, ka nevojë për një tjetërsim të kësaj situate, pasi duket sikur po e mbanë vendin në një depresion të brendshëm.
Duke parë edhe moshën mesatare që mori pjesë në këtë proces votimi mbetet 60- vjeç dhe kjo është e frikshme, duhet që të na alarmojë. Kjo situatë është arsyeja pse Shqipëria sot ka një krizë psikologjike dhe shoqërore të thellë. Këto janë zgjedhje të përkohshme, po me një mandat një vit e gjysmë që do të marr kandidati nuk pritet që të ndodh ndonjë çudi. Po mospjesëmarrjen në votim e shoh si një protestë të heshtur’, tha ai.




















