Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, zhvilloi më 17 nëntor një vizitë zyrtare në Tiranë, si pjesë e një turi diplomatik në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, me fokus procesin e integrimit evropian të rajonit.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin shqiptar, Wadephul u takua me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, si edhe me kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani. Diskutimet u përqendruan në ecurinë e reformave dhe rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Sipas ministrit gjerman, Ballkani Perëndimor mbetet një prioritet për politikën e jashtme të Berlinit, ndërsa Shqipëria po shënon një dinamikë të veçantë pozitive. “Kohët e fundit ndoshta asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë përparime të tilla,” u vlerësua në deklaratë, duke nënvizuar angazhimin e institucioneve shqiptare, administratës dhe shoqërisë civile në procesin e reformave.

Njoftimi i Ambasades Gjermane:

Qëllimi është anëtarësimi në BE: Më 17.11., Ministri i Jashtëm i 🇩🇪 Johann Wadephul vizitoi 🇦🇱 si pjesë e një udhëtimi në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ai diskutoi rrugën drejt BE-së me Ministren e Jashtme të 🇦🇱 Spiropali dhe kreun e SPAK-ut, Dumani.

Ballkani Perëndimor ka prioritet për 🇩🇪, dhe ne e mbështesim fuqimisht rrugën e saj drejt BE-së. Dinamika në 🇦🇱 është e jashtëzakonshme, kohët e fundit ndoshta asnjë vend tjetër në rajon nuk ka bërë përparime të tilla. 🇩🇪 vlerëson angazhimin e madh që shumë shqiptare dhe shqiptarë po bëjnë, si në politikë, administratë dhe shoqëri civile, për të realizuar reforma të vërteta.

Është e qartë që: nuk mund të ketë rrugë të shkurtra për këto reforma. Por nëse 🇦🇱 e ndjek vazhdimisht këtë rrugë dhe intensifikon përpjekjet e saj, mundësitë për të arritur sukses së shpejti janë të mëdha. Reformat të mëtejshme duhet të miratohen dhe të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, lirisë së mediave, dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një drejtësi e pavarur dhe efektive është thelbi i çdo shoqërie demokratike dhe të lirë. Me SPAK, 🇦🇱 ka një institucion të fortë që po bën përparime konkrete në hetimin dhe luftimin e korrupsionit. Shoqëria dhe ekonomia mund të lulëzojnë vetëm kur mundësitë shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe ka besim në institucionet e pavarura.