Prej Dhjetorit 2011 Ilir Kumbaro ish drejtor në SHIK i dënuar me 15 vite burg në mungesë për rrëmbimin e Remzi Hoxhës iu zhduk drejtësisë britanike, në ditën kur gjykata në Londër do të jepte vendimin për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Që nga ky moment për ish zyrtarin e lartë të shërbimit inteligjent shqiptarë askush nuk mund të thoshte se ku fshihej.

Ka patur të dhëna të pa konfirmuara se Ilir Kumbaro mund të kishte dalë ilegalisht nga Anglia.

Gazeta prestigjoze britanike The Telegraph i ka kushtuar një shkrim këtë të Dielë Ilir Kumbaros.

Për herë tregohet një e dhënë e re e cila sugjeron vendfshehjen e Ilir Kumbaros.

“Ai u pa për herë të fundit duke bërë pazar në një supermarket në Cardiff me bashkëshorten e tij në vitin 2016, sipas një burimi shqiptar” shkruaj kjo gazetë.

“Kjo është një e dhënë e re cila del për herë të parë pas 14 vitesh, nga ajo që mund të quhet “Misteri i Kumbaros” se si ish punonjësi i ish Sigurimit të Shtetit e më pas drejtor drejtorie në SHIK iu iku drejtësisë britanike e cila edhe pse kanë kaluar 14 vite nuk e ka arkivuar dosjen për kërkimet ndaj tij” thotë gazetari Top Channel Muhamed Veliu i cili e ka ndjekur këtë çështje prej ditës së parë kur Ilir Kumbaro u zbulua dhe u arrestua në 2008 në zonën Fulham.

Shkrimi i The Telegraph të cilit i referohet nga Top Channel.

Scotland Yard po u bën thirrje qytetarëve që të ndihmojnë në gjetjen e një ish-shefi shqiptar të spiunazhit që ndodhet në arrati në Mbretërinë e Bashkuar, i akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e kundërshtarëve politikë.

Ilir Kumbaro po kërkohet nga Policia Metropolitane prej 14 vitesh, pasi ai u arratis nga Londra ndërsa ishte i lirë me kusht, përpara një seance ekstradimi në dhjetor 2011.

Kumbaro, tani në të 70-at, kërkohet në Shqipëri për urdhërimin e rrëmbimit dhe torturës së tre burrave në vitin 1995, të cilët dyshoheshin se po komplotonin kundër presidentit të atëhershëm, Sali Berisha.

Policia Metropolitane ka lëshuar një apel të ri për informacion në lidhje me Kumbaron përmes organizatës bamirëse Crimestoppers.

The Telegraph mësoi se hetuesit po bëjnë kërkime dhe po ndjekin pista të reja për vendndodhjen e Kumbaros.

Ai u pa për herë të fundit duke bërë pazar në një supermarket në Cardiff me bashkëshorten e tij në vitin 2016, sipas një burimi shqiptar.

Rikapja e Kumbaros do t’i sillte një farë qetësimi familjes së Remzi Hoxhës, një biznesmen shqiptar-maqedonas, i cili u rrëmbye në veri të Tiranës më 21 tetor 1995 dhe u torturua në një magazinë, bashkë me Zizo Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, me urdhër të Kumbaros – atëherë shef i shërbimit të inteligjencës të Shqipërisë (SHIK).

Hoxha, baba i pesë fëmijëve, nuk është parë më kurrë.

I biri, Ardian Hoxha, i tha The Telegraph: “Jemi shumë të lumtur që më në fund autoritetet britanike janë riangazhuar me çështjen e Ilir Kumbaros, personit që rrëmbeu, torturoi fizikisht dhe vrau babain tim.”

Kumbaro iku në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 1996 dhe kërkoi azil me emrin e rremë Shaqa Shatri.

Ai i bindi zyrtarët e emigracionit se ishte një refugjat kosovar që po ikte nga persekutimi i Serbisë.

Ministria e Brendshme i dha Kumbaros leje të pacaktuar qëndrimi dhe i lëshoi një pasaportë britanike.

Për 13 vjet, ai jetoi një jetë të dyfishtë në një banesë komunale në Fulham, në perëndim të Londrës, dhe mbijetoi me mijëra paund nga ndihmat sociale.

Policia Metropolitane nisi kërkimin aktiv për Kumbaron në qershor 2008, pas një kërkese nga autoritetet shqiptare.

Mashtrimi i tij mori fund kur ai tërhoqi vëmendjen e detektivëve duke përdorur, në mënyrë të pashpjegueshme, emrin e tij të vërtetë për të kërkuar përfitime të tjera për depresion dhe çrregullim post-traumatik.

Më 2 shtator, detektivët e njësisë së ekstradimit të Scotland Yard, të udhëhequr nga detektiv sergenti Peter Rance, arrestuan burrin që prezantohej si z. Shatri në banesën e tij në Fulham.

Kur u vu në pranga, Kumbaro thuhet se u ka thënë oficerëve: “Nuk jam Ilir Kumbaro, jam Shaqa Shatri” dhe se të tjerët në banesë ishin kushërira e tij, Naxhie Axemi, dhe një mik mashkull i quajtur Ervin Kumbaro (i biri).

Kumbaro duhej të paraqitej në gjykatën e magjistratëve të Westminster më 1 dhjetor 2011, por ai u arratis ndërsa ishte me kusht përpara seancës së ekstradimit dhe mendohet se është fshehur mes miqve në Mbretërinë e Bashkuar jashtë Londrës.

Ardian Hoxha tha: “Ne e kishim humbur besimin te sistemi i drejtësisë së Britanisë së Madhe, por duket se ende ka individë të nderuar që duan të shohin drejtësinë të vihet në vend.

“Nëse autoritetet britanike vërtet duan ta gjejnë Ilir Kumbaron, mund ta bëjnë shumë lehtë, pasi fëmijët dhe familja e tij jetojnë në Londër, dhe ka shumë mënyra për ta gjurmuar, lokalizuar dhe sjellë para drejtësisë.”

Në vitin 2012, ish-gjykata e krimeve të rënda në Tiranë e dënoi Kumbaron në mungesë me 15 vjet burg për rrëmbimin dhe torturimin e Hoxhës.

Misteri rreth zhdukjes së Hoxhës është thelluar pas një sërë vdekjesh të atyre më të lidhur me rastin.

Bashkim Gazidede, ish-kreu i SHIK-ut dhe personi që urdhëroi marrjen në pyetje, vdiq në Turqi në vitin 2008.

Budjon Meçe, një ish-oficer i SHIK-ut që, sipas prokurorisë, torturoi personalisht Hoxhën në Lezhë, vdiq në Tiranë në vitin 2018.

Xhevat Hana, ish-prokurori që hetoi rrëmbimin dhe këmbënguli në ekstradimin e Kumbaros, vdiq papritur në një spital italian në vitin 2012.

John Jones, ish-avokati mbrojtës i Kumbaros, vrau veten në Londër në vitin 2016.