Pas ndeshjes Shqipëri-Angli, e cila u mbyll me rezultatin 0-2, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka, ka reaguar duke përgëzuar skuadrën kuqezi për përkushtimin e treguar në fushë dhe duke theksuar se objektivi kryesor mbetet play-off-i.

Në një mesazh publik, Duka u shpreh krenar për ekipin dhe për mbështetjen e tifozëve:

“Sonte zemra jonë luftoi më fort se rezultati. Jam krenar për çdo hap, çdo duel dhe falënderoj djemtë për përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm. Faleminderit edhe tifozëve për mbështetjen e pakushtëzuar! Ju jeni shtylla e kësaj skuadre. Play-off-i është i yni. Sonte festojmë arritjen, ndërsa nga nesër nis puna për sfidat e marsit!”-shkruan Duka.

Duka theksoi se pavarësisht rezultatit, Shqipëria vazhdon të jetë në rrugë të mbarë për objektivin e kualifikimit dhe se skuadra do të rikthehet menjëherë në punë për ndeshjet vendimtare të marsit.