Çadrat mes bulevardit, gjithmonë kanë qenë synimadhe për interesat e politikanëve. Asnjë çadër, nuk është ngritur “rastësisht” apo për “qëllime të mira në dobi të popullit”. E tillë ishte çadra “Basha”, e cila ishte kryekëput, një zgjedhje e qëllimshme e ish-kreut të PD-së, për të “marrë nga Rama, qoftë edhe diçka minimale” ose “KÇK”, dhe arriti atje ku deshi në fakt.

Lulzim Basha me çadrën e tij, jo vetëm badërrdisi dhe mashtroi demokratët, por e përdori mrekullisht atë, për interesat e tij politike dhe familjare. Zhgënjimin që patën demokratët nga çadra mes bulevardit me Lul Bashën, ishte prova më e duhur, që i bindi ata se “edhe gjetja e KOP-it nga Berisha, rezultoi një “vrimë në ujë”.

Por Luli tanimë ka ikur nga PD, dhe ajo parti sërish po rikthehet në kohën e çadrës, kësaj here për interesa të vetë ish-liderit historik. PD bazuar në porositë e Berishës, ka vendosur të instalohet para Kryeministrisë, dhe të ngulë aty çadrën e saj të re. Berisha u ka bërë thirrje gjithë demokratëve, nga janë dhe nga nuk janë, madje dhe diasporës, të mblidhen para Kryeministrisë, nga ku “do të nisë nga puna Parlamenti Qytetar”.

Berisha e ka quajtur kështu “çadrën protestuese”, pasi premton të mbledhë rreth saj, qindra e mijëra demokratët, apo dhe qytetarë të pavendosur. Duke zhvendosur debatin nga salla e Parlamentit drejt bulevardit, kryetari historik i PD-së, mendon dhe beson se “kjo do ta detyrojë Edi Ramën të pranojë kërkesat e opozitës për interpelanca dhe komisionet hetimore”.

Në një kohë që Rama pritet në Bruksel me “tapetin e kuq” dhe çel grupkapitujt e fundit me BE, duket si përpjekje e dështuar e Berishës, për të ngulur çadrën pranë Kryeministrisë. Vetëm debati dhe beteja në Parlament, do ti rikthente besimin atyre mijëra demokratëve që deri sot, e kanë me mosbesim rikthimin e Berishës në krye të PD. Nuk është më viti 2017, dhe Rama nuk është më në pozita të lëkundura, pas zhvillimeve të reja nga Brukseli.

Eshtë e qartë se, Rama nuk ka ndërmend të bëjë as aleanca dhe as lëshime, ndaj opozitës e cila është kthyer 8 vite pas, duke ngulur çadra, dhe duke e zhvendosur debatin e saj nga Parlamenti, drejt bulevardit. Zoti Berisha, duhet ti tregojë demokratëve se, opozita e ka seriozisht betejën parlamentare, se opozita dhe më konkretisht PD, e ka seriozisht hapjen dhe riorganizimin e strukturave të asaj partie, se PD-ja ka vendosur ti thotë “JO” formave dhe metodave dështake, duke u bërë qesharake me çadrat e saj, se PD-ja ka vendosur të jetë parti e ku zhvillohen zgjedhje të lira dhe demokratike brënda saj, për ti dhënë fund totalitarizmit dhe kultit të individit.

Ti rikthehesh çadrave, dhe demek “protestave popullore”, kur ke provuar gjithmonë se, ke dështuar në masivitetin e tyre në bulevard, është humbje kohe për ata demokratë ende të pavendosur, që po humbin shpresën dhe besimin se, “një ditë PD-ja fiton zgjedhjet në Shqipëri”./Javanews