Ish-kryeministri grek Aleksis Tsipras ka botuar librin e tij ‘Itaka’, i cili ka shkaktuar reagime të shuma.

Botimi voluminoz prej 762 faqesh synon të rikthejë debatin mbi periudhën më të nxehtë të politikës greke, vitet 2015–2019. Tsipras rrëfen negociatat dramatike me kreditorët, dilemat mbi euron, tensionet brenda SYRIZA-s, tragjedinë e Matit dhe momentet që, sipas tij, përcaktuan fatin e vendit.

Në këtë libër, ai shfaqet njëkohësisht autokritik dhe vetëpërshkrues si lider që mori vendime të dhimbshme për të shmangur një katastrofë më të madhe ekonomike, si një udhëheqës që bëri gabime, nënvlerësoi rreziqet, ndihet fajtor, por që, në fund, “e hoqi barrën” dhe nënshkroi memorandumin e tretë si një të keqe të domosdoshme për të shpëtuar vendin. Ai e largon veten nga roli i “aventurierit të papërgjegjshëm” dhe e zhvendos në rolin e udhëheqësit “të mundur, por të pjekur”.

Tsipras përpiqet të ripozicionojë SYRIZA-n si forcën që guxoi të sfidonte memorandumet, duke distancuar veten nga qasjet më radikale të ish-bashkëpunëtorëve dhe duke e paraqitur veten si atë që mbajti partinë në “vijën e përgjegjshme”. Tsipras pranon se zgjedhja e Yanis Varoufakis si ministër i Financave ishte gabim në një periudhë kritike për vendin. Por ai kritikon ashpër edhe kundërshtarin e tij Kyriakos Mitsotakis për retorikën gjatë qeverisjes së tij dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës, duke e quajtur “gënjeshtar kombëtare”.

Në të njëjtën kohë, ai i lë aktorët e tjerë të spektrit të qendrës dhe të së Majtës-PASOK-un, të Majtën e Re dhe grupimet më të vogla – në periferi të ngjarjeve, sikur historia e krizës ekonomike dhe politike nuk ka protagonist tjetër përveç tij. Libri sjell gjithashtu një paradoks interesant: sa më ashpër të sulmohet nga e djathta dhe mediat e saj, aq më shumë forcohet pozicioni i Tsiprasit brenda audiencës progresive, e cila mund të mos e votojë më, por ende e sheh si figurë që sfidon rendin dominues.

Tsipras u referohet hollësishëm edhe zhvillimeve të viteve të fundit dhe përçarjes të së Majtës. Ai i kujton qendrës së majtë se harta e saj politike vazhdon të vizatohet mbi koordinatat e viteve 2015–2019 kur ai udhëhoqi. Sipas analistëve “Itaka” e Alexis Tsipras nuk është vetëm një libër, është një lëvizje agresive për t’u ripozicionuar në qendër të narrativës së qendrës së majtë.Shumica e mediave e lexojnë librin si rikthim të plagëve të 2015-s, duke e parë herë si autokritik të vonuar e herë si përpjekje për të rimodeluar historinë.

Nëse “udhëtimi” i tij do të çojë drejt një “Itake” të re politike, apo thjesht do rrotullohet rreth të njëjtit ishull, do ta tregojnë zhvillimet e javëve në vijim dhe fakti në se ai do të krijojë një forcë të re për të mundur hegjemoninë e konservatorëve që, megjithëse të lodhur, duket sikur ende luajnë pa kundërshtar.