Nga Lorenc Vangjeli
Belatë e Rames kanë portrete të ndryshme. Bela është e rradhës. Rama, mbasi pa të rrëzoheshin njëri pas tjetrit Berishën e Metën në ingranazhet e drejtësisë, mbasi përballë i mbeti vetëm një opozitë me vaj qyqeje mbi çati, mbasi pa sesi drejtësia po i merrte ish-miqtë që i lëshonte më shumë prej hirit vetjak se pahirit të të tjerëve, sot është në mes të skenës, ende pa përgjigjen përfundimtare për pyetjen drithëruese që e bëjnë të gjithë: Çfarë do të bëjë me Belinda Ballukun?
Fillimisht ishte një spirale hetimesh që përfshiu një numër të frikshëm të bashkëpunëtorëve më të rëndësishëm në varësi të zëvendëskryeministres së tij. Pastaj u bë fakt real sekreti publik që qarkullonte prej muajsh në Tiranë se mbi të kishte nisur një hetim kompleks penal. Pastaj zonja Balluku u morr e pandehur. Më tej akoma, Rama pa si shpërtheu histeria e zakonshme publike, kur copëza të dosjeve filluan të publikohen. Dhe si për të vërtetuar edhe një herë se e keqja nuk ka fund, belaja i kulmoi me masat ndaluese në dëm të zonjës Balluku. Më e rënda e të cilës natyrisht, ishte pezullimi nga detyra. Fiks ajo masë që prekte në mënyrë të drejtpërdrejtë vetë Edi Ramën. Fiks momenti kur vetë kryeministri duhej të kryente një akt politik e moral në raport me të. Fiks ndaj njeriut që ai vetë e quante “shtriga ime e mirë”, siç e quajnë njëlloj, por për arsye të ndryshme Ahmetaj e Veliaj.
Shtrigë apo ëngjëll i keqkuptuar, ndaj zonjës së hekurt të qeverisë ka shpërthyer stuhia perfekte. Personazhi që deri fare pak javë më parë nuk i përmendej emri përveçse kur donte vetë dhe si të donte vetë, që në PS e shihnin me frikë e adhurim, kurse në PD e godisnin me sezone dhe në mënyrë selektive; personazhi që, në mos miratimin e plotë, kishte heshtjen e thellë të shumicës dërmuese të medias, sot është në qendër të një cunami të shumëfishtë, politik, juridik dhe moral. Miqtë në rolin e vartësve nuk guxojnë t’i zgjasin dorën sepse nuk janë të sigurt sesi do të shkojë historia, aleatët fluidë e të padibishëm në të majtë dhe të djathtë po kontrollojnë dhe njëherë mesazhet e shkëmbyera me të ndër vite, disa prej biznesmenëve më të mëdhenj në Shqipëri po kontabilizojnë me urgjencë kujtesën e punëve publike që kanë kryer, kurse shumica dërmuese e medias është në llogoret e zakonshme, ku interesi dhe jo bindja, tregojnë aksin ku shtrëngohet qyta dhe ku drejtohet tyta.
Zonja Balluku është e ndërgjegjshme se, siç thoshte dikur një gazetar i njohur në Tiranë, nderi është me afat skadence, ndaj ka pak shanse të mbështetet në kthimin pas “të ndereve” që ka bërë. Ajo e di se mirënjohja, siç thotë një tjetër gazetar, është një bimë që nuk rritet në Shqipëri dhe që në rastin më të mirë është thjesht e përkohshme. Për këtë arsye, në ndeshje me stuhinë mbi kokë, ajo e di se duhet të llogarisë vetëm veten dhe jo miqtë e rremë dhe armiqtë e sinqertë të saj.
E vetmja e panjohur në këtë ekuacion të ndërlikuar është vullneti i kryeministrit për të vepruar nga njëra anë dhe armët e panjohura me fraksione që ka SPAK-u në dispozicion e ndoshta edhe faktorë të tjerë jolokalë të përfshirë në këtë histori. Gërshetimi i arsyetimit politik, juridik, moral e madje edhe gjeopolitik është një xhungël e vërtetë për momentin, në të cilin sapo është hedhur fare pak dritë, në një lojë ku nuk njihen të gjithë aktorët dhe nuk kanë dalë në dritë të gjithë faktorët e interesuar.
Për të kuptuar rrjedhën e mëtejshme të ngjarjeve, lipset të pranohet çfarë në Tiranë refuzohet me një lehtësi të padurueshme: parimi i prezumimit të pafajësisë. Edhe pse e pandehur e me akuza të rënda mbi shpinë, edhe pse pretendohet se më e keqja është ende udhës drejt saj në formë dosjesh me fraksione, edhe pse shoqëria e traumatizuar shqiptare është përfshirë ethshëm në gjyqin popullor të rradhës, zonja Belinda Balluku është e pafajshme deri në momentin që gjykata do të vendoste ndryshe me vendim të formës së prerë. Madje ka edhe më shumë. Edhe vetë Juda, po të jetonte në Evropën e sotme moderne, do të meritonte një proces të drejtë, të ndershëm dhe të rregullt gjyqësor.
Në rastet pararendëse për dy ish-presidentë e kryeministra, Berishën e Metën, për paraardhësin e saj në detyrë Ahmetaj apo kryetarin e bashkisë Veliaj, në një mënyrë apo një tjetër, proceset janë helmuar nga burime të ndryshme. Ata edhe janë paraquajtur e trajtuar si fajtorë, edhe janë pjesë e proceseve të deformuar nga pikëpamja proceduriale. Kush më shumë e kush më pak, kush prej humorit të politikës e kush prej defekteve të sistemit të drejtësisë, kush edhe për arsye të tjera, kjo aradhë të fortish politikë, është në fatkeqësi penale e personale.
Rasti i zonjës Balluku në këtë prolog të hekurt të historisë ndryshe të saj, nuk bën ende ndryshim. Edhe në rastin e saj, sistemi po funksionon, pavarësisht risive, pushtetit të traditës, tensionit, moralit të rishkruar, boshllëqeve ligjore e kundërthënieve logjike në ligje, paqartësive apo dhe defekteve të mundshme. Parimi magjik i demokracisë për balancën dhe kontrollin e pushteteve është në tension të plotë dhe gati për t’u kolauduar.
Ka gjasa jo të pakta që gjykata të bëjë një hap pas në masat e mara ndaj zonjës Balluku. Vendimi i pezullimit nga posti i saj, komplikohet nga këmisha kushtetuese që i jep imunitetin e deputetit që e fiton duke qenë anëtare e qeverisë. Dhe anasjelltas, ministri ka imunitetin e deputetit. Kodi i Procedurës Penale e njeh pezullimin e ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik, por “…Kjo masë nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral.”. Kapërcimi i këtij momenti, që është rasti i zonjës Balluku, mund të quhet faull në prologun e ndeshjes. Duke pasur të drejtë të kontrollojë pushtetet e tjera, pushteti i sistemit të drejtësisë pushon së ekzistuari kur ndërhyn në vullnetin e popullit të shprehur me votë. Ai nuk mund të shtrihet dhe të kushtëzojë vullnetin e kryeministrit për të ndërtuar kabinetin qeveritar me mandat të shumicës së parlamentit dhe konfirmuar me dekret të presidentit. E thënë thjesht, gjykata nuk ka tagër të pushojë/pezullojë nga puna zonjën Balluku në këtë çast. Punësimi i saj është derivat i vullnetit politik të kryeministrit. Për koincidencë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e zotit Veliaj që kërkon proporcionalitet në masat e sigurisë ndaj të zgjedhurve, është një arsyetim që duhet të rilexohet edhe njëherë për të kuptuar më mirë se çfarë po ngjet kësaj here.
Edhe kryeministri, ndryshe nga sa i thonë servilët e mirë dhe këshilltarët e këqinj, nuk mund të trokasë në këtë fazë të ndeshjes në gjykatën Kushtetuese për interpretim. Gjykata Kushtetuese nuk mund të ndërhyjë në mes të një procesi penal. Me shumë gjasa, ajo do ta refuzojë kërkesën e kryeministrit. E vetmja rrugë për të zgjidhur ngërçin vjen nga vetë funksionimi i sistemit. Brenda pesë ditësh, do të thotë deri të hënën e ardhshme, zonja Balluku duhet të kundërshtojë masat e marra ndaj saj në gjykatë dhe përballë të njëjtit gjykatës. Ai mund të rikonfirmojë të njëjtat masa shtrënguese e ndaluese ose t’i zbusë ato, por jo t’i forcojë më tej. Në rastin e parë, po brenda pesë ditësh, zonja Balluku ka të drejtë të ankimohet në apel dhe nëse edhe aty rezultati është i njëjti, do të duhet të trokasë në Gjykatën e Lartë. Dhe vetëm mbasi Gjykata e Lartë të jetë shprehur, mund të shkohet në Gjykatën Kushtetuese. Në rastin e Veliajt, Gjykata Kushtetuese dha një leksion të shumëfishtë dhe goditi në të njëjtën kohë edhe kryeministrin, edhe presidentin, edhe SPAK-un duke thënë në finale: kushtetuetshmërinë e ligjit e përcaktoj vetëm unë! Duke u dëshmuar si garantiste për shtetin e së drejtës, ndarjen e pushteteve dhe respektimin e të drejtave të njeriut. E sidomos, duke rivizatuar kufinjtë mes pushteteve në Shqipëri dhe duke kërkuar zbatimin e kujdesshëm të ligjit penal, në ruajtjen e proporcionalitetit në masat e sigurisë.
Nga ana tjetër në këtë provë force e garë për kohën, SPAK-u mbetet enigma e madhe. Në rastin e prapakthesës së gjykatës, ndoshta reagimi i prokurorisë speciale mund të vijë jo vetëm me fraksione të reja akuzash, por edhe me lënien pas të brutalitetit të sopatës me përdorimin e bisturië me dosje të një natyre tjetër. Duke shkuar në kuvend me masa të tjera në ngarkim të zonjës së hekurt.
Rasti i zonjës Belinda Balluku është një rast që nuk mund të shpjegohet vetëm me arsyetim ligjor a politik, moral apo të traditës. Vetëm letërsia mund ta bëjë një gjë të tillë duke shpjeguar ëndrrën më grishëse në Ballkan: Kush është poshtë mezi pret të rrëzohet ai që është lart; ëndrrën me pritjen që tek rrënimi i tjetrit, të projektohet suksesi vetjal. Në PS kjo është edhe ëndërr, edhe makth. Ndaj është kaq e rëndësishme për një shoqëri që vetëm dy breza më parë gjuajti Perëndinë me gurë duke i thyer e ndyrë tempujt në tokë, që të mësohet me procesin e rregullt, të drejtë e të ndershëm ligjor. Kjo e drejtë është e vlefshme për këdo. Edhe për vetë Judën, bushtrën që tradhëtoi Birin e Perëndisë në tokë./Javanews




















