Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin e 6-të të Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji (P-TEC), që u zhvillua sot në Athinë, nën kujdesin e Departamentit Amerikan të Energjisë, qeverisë greke dhe Qendrës Globale të Energjisë pranë Këshillit Atlantik.
Në këtë aktivitet morën pjesë Sekretari Amerikan i Energjisë, Chris Wright, si dhe ministra të energjisë nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, mes tyre edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
“Takimi i gjashtë i Partneritetit për Bashkëpunim Transatlantik në Energji shënon fillimin e një bashkëpunimi më të ngushtë mes Departamentit të Energjisë së SHBA-ve, Bashkimit Europian dhe vendeve të Europës Qendrore e Jugore”, deklaroi Balluku. Sipas saj, në këtë takim u theksua rëndësia e koordinimit për të minimizuar ndikimin e gazit rus në tregun europian dhe për të forcuar sigurinë energjetike në rajon.
Balluku vlerësoi rolin që po merr Greqia si një qendër e rëndësishme gjeo-energjetike, falë marrëveshjeve për hapjen ndaj gazit të lëngshëm amerikan (LNG). “Athina ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme për hapjen e dyerve ndaj gazit të lëngshëm amerikan, duke e kthyer rajonin në një pikë kyçe për gjeopolitikën energjetike”, tha ajo.
Në fjalën e saj, ministrja shqiptare theksoi gjithashtu objektivin strategjik të vendit tonë.
“Informova aleatët tanë strategjikë se Shqipëria synon që brenda vitit 2030 të kthehet nga një vend importues në një vend eksportues neto energjie”.




















