Dy orë e gjysmë pas mbylljes së kutive të votimit të dielën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nxori rezultatet preliminare për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për 18 komuna.
Fituese e këtij balotazhi del Lidhja Demokratike e Kosovës që fitoi pesë nga nëntë komunat që garonte me nëntë nëntor, duke përfshi edhe kryeqytetin. Përparim Rama i LDK-së, mposhti Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, duke vazhduar kështu qeverisjen e Lidhjes Demokratike edhe për katër vjetët e ardhshme. LDK fitoi edhe në Pejë, Junik, Dragash e Viti komuna me të cilat ka udhëhequr që nga viti 2021.
“LDK-ja ka një rezultat të jashtëzakonshëm në një garë shumë të vështirë elektorale në Kosovë dhe ka fituar me plot dinjitet, me plot bindje një garë të rëndësishme elektorale”, deklaroi Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK.
Lëvizja Vetëvendosje fitoi katër nga 12 komunat që ishte në balotazh. Për herë të parë do të udhëheqë në Mitrovicë të Jugut, me Faton Pecin që arriti të mposhtë Arian Tahirin e Partisë Demokratike të Kosovës. Po ashtu, VV merr për herë të parë edhe drejtimin e Fushë Kosovës e Obiliqit, ndërkohë që vazhdon qeverisjen edhe në Gjilan.
“Ata kanë humbur duke u bërë krejt bashkë kundër neve”, deklaroi Albin Kurti, kryetar i LVV.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po ashtu fitoi katër nga pesë komunat që garonte në rrethin e dytë. Vazhdon qeverisjen në Gjakovë me Ardian Gjini, në Suharekë me Bali Muharremajn, Rahovec e në Klinë.
“Është një rezultat i mirë, jemi të gëzuar, vërtetë është një ndjenjë përgjegjësie, i lus kryetarët që të punojnë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.
Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës fitoi tre nga gjashtë komunat që ishte në balotazh. Sipas rezultatit të raundit të dytë, PDK vazhdon qeverisjen në Prizren me Shaqir Totajn, në Kaçanik e në Vushtrri. Lista Serbe fitoi balotazhin në Kllokot e KDTP-ja turke në Mamushë.Të hënën në Qendrat Komunale të Numërimit do të bëhet verifikimi i rezultateve preliminare për raundin e dytë të zgjedhjeve, proces ky që do të pasohet nga numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave me postë nga diaspora.
Pas përfundimit të votimeve për zgjedhjet lokale të 2025-ës, duke llogaritur edhe komunat e fituara në raundin e parë, Lëvizja Vetëvendosje do të udhëheqë në shtatë komuna në nivel vendi. Shtatë komuna po ashtu do t’i drejtojë Lidhja Demokratike e Kosovës, gjashtë Partia Demokratike e Kosovës, pesë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një NISMA, një Ramiz Lladrovci, dhjetë Lista Serbe e KDTP-ja një.




















