Ilir Alimehmeti ka reaguar pas deklaratave të Gazment Bardhit, i cili tentoi ta zhvlerësonte takimin e figurave të votuara të PD-së duke e quajtur “thjesht kafe”.
Alimehmeti tha mbrëmjen e sotme nga studio e Top Story, se problemi qëndron te mungesa e komunikimit nga drejtuesit e PD-së, jo te takimi në fjalë.
“Të them të drejtën, statuset në Facebook nuk i komentoj. Po të donte kryesia, më kishte thirrur. Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar, por s’na ka thirrur”, deklaroi Alimehmeti.
Ai nënvizoi se demokratët flasin me njëri-tjetrin sepse janë lënë jashtë procesit vendimmarrës:
“Përgjigjja është: jo, s’ka qenë mundësia për të folur. Ta marrim situatën në dorë. Lënia pa folur dhe shmangia sjell situata si këto ku jemi sot — një qeveri e kalbur dhe një opozitë që nuk afron dot njerëzit.”
Alimehmeti theksoi se përgjegjësia bie te drejtuesit e PD-së, të cilët nuk kanë thirrur asnjë nga anëtarët e zgjedhur me votë, ndërsa theksoi se në këtë mënyrë kanë larguar njerëzit.
“Privilegjet dhe përgjegjësitë shkojnë lart. Numrat tanë të telefonit i kanë, ne përgjigjemi gjithmonë. Pse arritëm në mbledhjen e kësaj tryeze? Kjo pyetje u duhet bërë atyre. Ata nuk e kanë bërë dhe i kanë larguar njerëzit, ne thjeshtë vazhdojmë punën, të kuptojmë ku jemi dhe ku janë problematikat”, tha ai.




















