Nga Lorenc Vangjeli

Ka qenë një nga sfidat më spektakolare të politikës shqiptare. Mes dy njerëzve më të fuqishëm të Tiranës zyrtare. Njëri kryeministër në mandatin e dytë, tjetri paraardhës i tij, në mandatin e dytë në opozitë. Njëri gjuhë brisk, tjetri gjuhë shpatë. Në mes të tyre qëndronte një kandidat për kryeministër, që priste të bëhej i tillë duke u ngjitur mbi shpatullat e njërit dhe mbas shpinës së tjetrit.

I pari ishte Edi Rama që foli dhe hodhi dorezën e sfidës.

I dyti ishte Sali Berisha që u justifikua dhe nuk e injoroi dot sfidën.

I treti ishte Lulzim Basha që fitonte vetëm nëse humbte njëkohësisht Rama e Berisha.

“Tani kam unë një pyetje të drejtpërdrejtë për ty, Sali! Ti e kapërcen dot Oqeanin me dash?”.

Berisha u përgjigj se ishte tërhequr nga politika aktive. Se i kishte ndërprerë të gjitha udhëtimet zyrtare, se nuk udhëton më, ngaqë nuk përfaqësonte asnjë parti politike.

“Marr ftesa çdo dy muaj,por nuk dua vetë!”.

Sfida solemne ishte hapur nën vështrimet e hutuara të dhjetra deputetëve që merrnin pjesë në atë seancë parlamentare në shkurt 2019. Shumica dërmuese e tyre kishte biletë për atë shfaqje, por nuk kuptonte tekstin, ishte dëshmitare e dramës, por nuk kishte lidhje me thelbin e saj. Në të majtë të sallës e qeshura brohoriste me e sigurt për liderin e saj, në të djathtë ngushëlloheshin se në mos Saliu, Luli dinte not e anglisht mjaftueshëm për të kaluar oqeanin Atlantik.

Plot gjashtë vjet e nëntë muaj më pas sfida pati fituesin e saj të papritur. Një fitues që kaloi humbje pas humbjeje në zgjedhje të përgjithshme e lokale në Tiranë, bashkë me Non Gratën në Uashington, me një triumf të vetëm mbi Lulin e tij e me një cfilitje ciklike me drejtësinë.

Hakmarrja është gjithmonë e pranishme në menutë ballkanase. Tanimë, i zgjedhur zëvendëspresident i CDI-së, një grupim politik partish nga pothuaj gjitha bota, Berisha bëri fjalë për fjalë e fiks siç e sfiduan me fjalë në Kuvendin e Shqipërisë në shkurt 2019: “…e kapërcen dot oqeanin?”. “Po, e kaloj!”. Atë që nuk e bënë miliona dollarët e lobimeve, shpresave për një biletë për në Neë York, lutjet e përgjërimet morale e financiare, e bëri ftesa për në Brazil.

Sali Berisha e kapërceu oqeanin. Madje edhe shkoi në Amerikë. Por njëlloj si Kolombi dikur që kërkonte Indinë dhe zbuloi Amerikën, Doktori nuk shkoi në Amerikën e Veriut, por në Amerikën Latine.

Gjashtë vjet e nëntë muaj më pas, Rama humbi, por është kryeministër. Berisha fitoi edhe pse e di që herët a vonë, me përjashtime të rralla vaji, do të dëgjojë të këndohet si himn në oborrin e partisë së tij, motivi i këngës së hershme:

Morëm armët të luftojmë,
Për PD e për atdhe,
Ku ta dinim ne të mjerët,
Se armiku ish’ me ne!