Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, ka lëshuar një fletëthirrje për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha për tu paraqitur në SPAK me qëllim dhënien e deklaratave për 4 vrasjet e protestës së 21 janarit.

Gazetari Enton Abilekaj, në studion e emisionit ‘Të Paekspozuarit’, thotë se shumë prova janë zhdukur dhe se do të jetë shumë e vështirë sot për të gjetur personin e vërtetë që i ka dhënë urdhër Gardës së Republikës për të qëlluar mbi protestuesit.

Ndër të tjera ai thotë se e vetja dëshmi kryesore në SPAK është ajo e Lulzim Bashës, në atë kohë ministër i Brendshëm ndërsa shton se dhe personi që ka fshirë serverat, është anëtar i partisë së Bashës.

“Kanë kaluar 14 vjet, shumë prova janë zhdukur. Edhe audio e gjetur për urdhrin për të goditur në mish, nuk e përcakton qartë se kush janë urdhëruesit dhe kush gjuan.

Vërtetë ka vendim të Gjykatës së Strasburgut se është krim shtetëror, por jo domosdoshmërisht duhet ta bënte hetimin SPAK. Gjykata e Lartë ia kaloi SPAK, me pretendimin se përfshihen zyrtarë të lartë.

Fakti që iu imponua SPAK-ut nga Gjykata e Lartë, nuk të bën shumë optimist. Të gjithë gardistët që gjuajtën pas urdhërit mund të arrestohen, por a ishin ata autorët, apo ata që dhanë urdhërin?

Ata që dhanë urdhërin, është e vështirë të merret vesh me emër dhe mbiemër, edhe për faktin se dëshmia kryesore është e Lulzim Bashës. Po kështu njeriu që fshiu serverat ësht në partinë e Bashës.

Mendoj se dëshmia e tij është shumë e rëndësishme. Pra ia ka dhënë Gjykata e Lartë me detyrim. Berisha vërtetë mund të merret i pandehur, por deri tani do të thirret si person në dijeni”, tha ndër të tjera Abilekaj.