Gati 16 vite pas krimit shtetëror të 21 janarit, ish-kryeministri Sali Berisha do të përballet për herë të parë me SPAK. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e ka thirrur Berishën që të paraqitet ditën e premte në orën 10:00 para prokurorit të çështjes, Alfred Shehu. Ish-kryeministri pritet të merret në pyetje si person që ka dijeni për vrasjet e 4 protestuesve në bulevard me plumbat që u derdhën nga Kryeministria.

Ish-prokurori Ervin Karanxha, i cili ka qenë personalisht i angazhuar në hetimet për krimin shtetëror, tregoi në “Repolitix” në Report Tv se si zbuloi që serverat e kryeministrisë ishin riformatuar për të fshirë totalisht pamjet e kamerave të sigurisë së institucionit.

“Ne kemi çuar vendimin e sekuestrimit, sepse çdo shtet nuk ka pse fshin serverin. E morën dhe ishte formatuar në orën 1 të natës dhe nuk rikthente pamjet e mëparshme”,- tha Karanxha.

Më tej, Karanxha tregoi se si një frazë e tij u keqpërdor nga politika. Ish-prokurori tha se fraza e tij u përdor nga Sali Berisha për të shpikur se protestuesit kishin një plan rezervë për pushtimin e institucioneve shtetërore gjatë protestës së 21 janart të vitit 2011.

“Një nga detyrat që mora ishte këqyrja e një Benz-i 240 ngjyrë jeshile, që u prit nga rampa (te kryeministria. Kishte drunj brenda, dy spota që prisnin drunj. Ish-ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, tha që kishte qenë me lëndë plasëse. M’u la mua si detyrë dhe shkova e verifikova. Ishte vendim i sekuestrimit për armët e grupit të zjarrit.

Duke qenë se unë dilja për vrap nga liqeni dhe komanda e Gardës është afër. Duke u futur thashë: “Jam prokurori, kemi një vendim sekuestrimi, do të sekuestrijmë armët e zjarrit.” Isha dhe me 6 oficerë me vete, dhe pati një konflikt verbal. Stop – u thashë atyre oficerëve – se do përdorim planin B.

Kur u tërhoqëm nja 2 metra, na thanë: “Tërhiquni nga plani B”, dhe na thanë që armët nuk janë këtu, se këtu është komanda. Raportuan te salla që ka një variant B. Më pas u tha (nga Sali Berisha) se kishte një variant B (për pushtimin e institucioneve), por nuk u zbatua”,- tha Karanxha.