Shkrimtari Ben Blushi ka reaguar në rrjetet sociale pas jehonës që ka marrë romani i tij më i fundit, “Jam Mysliman”. Përmes një postimi në Facebook, Blushi ka treguar se pas publikimit të librit ka marrë mijëra mesazhe nga urime e mbështetje, deri te kritika e mallkime – por një ftesë e veçantë për debat i ka tërhequr vëmendjen më shumë se çdo tjetër.

Sipas Blushit, një person që e ka kontaktuar i ka kërkuar të marrë pjesë në një debat publik për Kuranin dhe Islamin, por me 10 kushte, ndër të cilat një i ka dukur “i pamundur për t’u përmbushur”.

“Ky person më kërkon të mësoj përmendësh 33 ajete të Kuranit. Ndryshe ai nuk del në debat me mua. Nuk e di a e kam këtë aftësi. Edhe në shkollë nuk mësoja dot asgjë përmendësh dhe nuk di të recitoj. Për më tepër e di që do humb”, – shkruan Blushi në reagimin e tij.

Autori shton me ironi se mund të pranojë 9 nga 10 kushtet, ndërsa shpreson se bashkëbiseduesi i tij mund t’ia “lehtësojë pak” kërkesat.

Romani “Jam Mysliman” ka ngjallur diskutime të shumta në rrjete sociale dhe në opinionin publik për mënyrën se si trajton temën e fesë, identitetit dhe bashkëjetesës.