Me fillim nga ora 20:45 sytë e të gjithë shqiptarëve do jenë sot në Ljubljanë. Kosova luan kundër vendasve të Sllovenisë për ndeshjen e parafundit në Grupin B kualifikues të Kupës së Botës 2026. Veç këtij dueli, për këtë grup luhet edhe sfida Zvicër – Suedi (e kualifikuar në play-off nga Liga e Kombeve).
Për momentin Kosova është në garë edhe për kreun e grupit, pasi pas ndeshjes së sotme pret Zvicrën në Prishtinë më 18 nëntor. Përpara ndeshjes kundër Sllovenisë, trajneri i Kosovës, Franco Foda tha se ekipi i tij kërkon tri pikët, paçka se me një barazim “Dardanët” do ishin zyrtarisht pjesë e play-off të Kupës së Botës.
“Në ndeshjen e parë të dyja skuadrat kanë luajtur mirë dhe kujdesshëm. Asnjëra nuk i shfrytëzoi rastet, pres ndeshje të fortë dhe detajet do jenë ato që do bëjnë diferencën. E kemi analizuar Slloveninë, jo vetëm ndeshjen direkte por edhe ato që i kanë luajtur me kombëtaret e tjera. Synimi ynë është absolutisht fitorja dhe shpresoj përmes analizave që kemi bërë të arrijmë këtë”, tha gjermani i stolit të Kosovës.
Vedat Muriqi, sulmuesi i Mallorcas u pyet se nëse ekipi siguron një objektiv a premton të shkurtojë flokët, por përgjigjia e tij ishte jo.
“Për gola po, dua të shënoj. Nëse kualifikohemi do të shënoj gola edhe atje. E di që premtimin po e doni për flokët, por po më vjen keq”, tha ai duke qeshur.
Me një fitore në Slloveni, Kosova do të hynte fuqishëm në garë për kualifikim direkt, megjithatë edhe Zvicra duhet të ndalet nga Suedia. Një pikë sot minimalisht i jep Kosovës një vend në play-off, diçka historike për shqiptarët përtej Drinit.




















