Lajmet e qarkulluara në disa portale dhe rrjete sociale, sipas të cilave Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ndodhej në zonën e Aeroportit të Rinasit në momentin e atentatit ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit, rezultojnë të pavërteta. Eskorta e delegacionit që ka kaluar ka qenë e ministrit të Malit të Zi.

Burime të sigurta nga Ministria e Mbrojtjes konfirmojnë për redaksinë tonë se ministri Vengu nuk ka qenë në vendngjarje, por ndodhej në Tiranë, ku kishte zhvilluar takime pune.

“Ministri Vengu nuk ka qenë as në eskortë dhe as pranë vendit të atentatit. Çdo pretendim në këtë drejtim është i pasaktë,” – thanë burimet.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së martës, më 11 nëntor, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj një automjeti tip “Mercedes Benz S-Class”, duke lënë të vrarë Gilmando Danin dhe duke plagosur rëndë agjentin e AMP-së Muçi Shaljani. Hetimet për ngjarjen vijojnë nga policia dhe prokuroria.