Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla thotë se me buxhetin e vitit 2026, do të rriten pagat dhe pensionet.

Nga Kuvendi, Balla i bëri thirrje opozitës, që të miratohet buxheti brenda datës 15 dhjetor.

“Pensioni urban të shkojë 40 mijë lekë, mesatarisht 22 mijë lekë. Pensioni rural, në 2013 nuk ekzistonte, ne synojmë ta çojmë në 18 mijë lekë. Nga janari 2026, pensionet do rriten çdo muaj. Këtu nuk përfshihet bonusi dhe indeksimi. Pensioni urban, për ata me vite të plota, do rritet çdo muaj 1800 lekë. Nga 1 janari 2026, falë këtij buxheti rritet paga minimale, për 307 mijë punonjës në këtë vend, shkon 500 euro. Jo vetëm paga minimale, janë edhe paga të tjera në sektorin shtetëror. Edhe për Policinë e Shtetit. Ministri i Financave bëri prezantimin siç e përcakton rregullorja, në Konferencën e Kryetarëve. I ftoj kolegët ta miratojmë kalenderin e posaçëm të këtij buxheti”, theksoi ai.