Protestat e Berishës në nivelin e Këlliçit para Bashkisë: një grusht njerëzish me të njëjtat pankarta

As stilin e pankartave s’ka dashur ta ndryshojë: Sali Berisha ka vendosur të kopjojë fiks modelin e protestave të Belind Këlliçit para Bashkisë, duke imituar madje edhe tabelat e kuqe e të zeza që mbanin protestuesit, sot si një vit më parë. Të përdorësh fjalën “protestues” është e tepërt. Në të vërtetë bëhet fjalë për një grusht deputetësh dhe punonjësish të PD-së, partinë që Berisha e ka katandisur nga ish-forca më e madhe opozitare në një OJF deputetësh pa asnjë mbështetje mbarëpopullore.

“Qëllimi i protestës nuk ishte masiviteti”, tha Berisha në rrëfimin e tij televiziv, duke u përpjekur të justifikojë në mënyrë patetike dështimin e tubimit të organizuar mbrëmë para Kryeministrisë. Por ta përgënjeshtronte u kujdes Syri, televizioni i familjes, i cili ëndërronte masivitet dhe që madje titulloi: “Mijëra protestues i bashkohen thirrjes së opozitës para Kryeministrisë”. Në realitet nuk ishin më shumë se 200 vetë (pothuajse të gjithë burra), saktësisht si në protestat e para të Këlliçit. Në protestat e fundit para Bashkisë kishin mbetur rreth njëzet mbështetës të paguar e të lodhur, dhe mjafton kjo për të parashikuar fatin e strategjisë së dështuar që Berisha ka vendosur të ndjekë.

Që nga sot, për rreth një orë çdo javë, i njëjti rreth sherbetore do të mblidhet para Kryeministrisë, gjyshi-Berisha do të kërcënojë me revoltë kombëtare dhe pastaj të gjithë në shtëpi. Së shpejti do lodhen edhe ata, dhe gjithçka do të shuhet, si “Mosbindja e Madhe Civile Pa Ndërprerje” e shpallur nga Berisha dhe Noka, për të cilën nuk ka mbetur më asnjë gjurmë pas shfaqjes së parë.

Berisha vazhdon të mos mësojë nga gabimet e tij, dhe Partia Demokratike, për shkak të tij, po fundoset duke tërhequr me vete shpresat për të pasur në vend një opozitë të fortë e të besueshme. Si në kohën kur bashkëpunonte me Ramiz Alinë duke refuzuar të hiqte emrin “Enver Hoxha” nga universiteti dhe duke e quajtur ende “shoku Ramiz” për t’i garantuar një tranzicion të butë, ashtu edhe sot Berisha duket sikur i është vënë në shërbim Edi Ramës, duke i dhuruar pushtet absolut pa asnjë alternativë.Por në kohën e protestave studentore, Berisha mashtroi opinionin publik dhe ëndrrën e studentëve, sepse kishte planin t’i siguronte vetes një të ardhme politike si lider absolut. Po tani? Çfarë ëndërron sot Sali Berisha? Në këmbim të çfarë vazhdon të tradhtojë ëndrrat e popullit opozitar?

E vërteta është se Berisha nuk ëndërron më asgjë sepse, duke ditur që nuk ka asnjë të ardhme politike përpara, ajo që i intereson është vetëm të mbrojë të shkuarën e tij. Arsyeja nuk është imuniteti, të cilin për vite me radhë e kishte objektiv duke pushtuar rolin e liderit të opozitës. SPAK ka treguar se nuk ka asnjë imunitet për Berishën dhe familjen e tij, veç sikletit dhe kujdesit të zakonshëm që drejtësia historikisht i ka rezervuar, duke pasur frikë nga dhuna e tij fizike dhe egërsia verbale e bazuar te shpifja. Berisha mund të vazhdojë të sillet me bullizëm edhe pa e mbajtur peng PD-në, dhe drejtësia do të vazhdonte ta druante njësoj. Vendimi për ta fundosur Partinë Demokratike mbështetet pra vetëm te vizioni i tij arkaik e patriarkal i bajraktarit që e konsideron veten pronar të padiskutueshëm të fisit të vet, me pushtet jete e vdekjeje mbi secilin prej anëtarëve.

Partia Demokratike është fisi i tij, dhe anëtarët e deputetët e saj pranojnë (ose durojnë) të njëjtën rregull patriarkale. Besojnë se po vdiq bajraktari, nuk do të ketë të ardhme për ta dhe as rrogë deputeti. Nuk kuptojnë se mbijetesa e tyre varet pikërisht nga largimi i tij, sepse nëse Berisha mbetet në krye, në zgjedhjet e ardhshme do zhduken edhe vetë ata.

Fajtor, pra, nuk është më vetëm kryetari, por të gjithë ata që ende e rrethojnë. Mbaroi koha e batutës “fajin e ka Saliu”. Jo, fajin e kanë të gjithë ata që e mbështesin ende si shërbëtorë të verbër. Faji është tek ato pak dhjetëra deputetë dhe funksionarë partie që mbrëmë u mblodhën në bulevard, te këmbët e bajraktarit të tyre, vetëm për t’i bërë të besojë se është ende ai lideri, siç ndodhte në ditët e fundit të Benito Musolinit. Siç ndodh gjithmonë me çdo diktator në ditët e fundit, i izoluar nga vendi i vet, por që ngushëllohet duke parë pak shërbëtorët e mbetur besnikë që e mashtrojnë duke i treguar se nuk është ende vetëm.

Rezultatet zgjedhore të 9 nëntorit në 5 bashkitë ku u votua, përputhen në mënyrë perfekte me pamjet e bulevardit bosh të mbrëmjes së djeshme. Janë rezultate dhe imazhe që nxjerrin në pension sondazhistët, sepse Partia Demokratike e Sali Berishës është tashmë humbëse pa asnjë mundësi rikthimi. Është një forcë e mposhtur që në nisje dhe që nuk premton më asnjë surprizë. Braktisja e kutive dhe e sheshit tregon se militantët e opozitës kanë reshtur së ëndërruari. Ata, ndryshe nga shërbëtorët e verbër që qëndrojnë për oportunizëm në oborrin e Berishës, nuk besojnë më te bajraktari. Populli opozitar ka folur, dhe ai tregon se është më i emancipuar dhe se është më i mirë se ata që pretendojnë ta përfaqësojnë./Shqiptarja