Arsenali dhuron spektakël ndaj Bayernit, duke i shkaktuar humbjen e parë të sezonit me një triumf bindës 3-1 në “Emirates”. Pas 22 minutash, kur Jurriën Timber dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë me kokë, pas asistit nga këndi të Bukayo Sakës. Gjermanët reaguan shpejt dhe arritën të rikthenin ekuilibrin falë talentit Lennart Karl, i shërbyer në mënyrë fantastike nga Serge Gnabry.
Pas pushimit, londinezët rritën ritmin dhe në minutën e 69-të me Noni Madueke ë mposhti Neuer-in. Vetë portieri bavarez u bë protagonist negativ pak më vonë, kur një gabim i tij i hapi rrugën Martinellit drejt golit të tretë, që vulosi fitoren e Arsenalit.
Ndërkohë, mbrëmja solli një surprizë të madhe në “Anfield”. Liverpool u gjunjëzua 1-4 përballë PSV-së, në një ndeshje ku holandezët shënuan që herët. Vetëm pas pesë minutash, Ivan Perisic realizoi nga penalltia pas një faulli me dorë të Van Dijk. Szoboszlai i riktheu shpresat “reds”-ave në minutën e 15-të, por pjesa e dytë u kthye në shoë të PSV-së: Guus Til, Couhaib Driouech (me dopietë) vulosën një fitore spektakolare për holandezët.
Real Madrid doli fituese nga Pirea në një sfidë spektakolare, duke mposhtur Olympiacos-in 3-4, ndeshje që u dominua nga superformë e Kylian Mbappé, autor i katër golave. Grekët kaluan të parët në avantazh me një goditje të bukur të Chiquinho-s, por francezi përmbysi gjithçka brenda pak minutash, duke realizuar tripletën deri në minutën e 29-të. Në pjesën e dytë, Taremi ngushtoi diferencën, por Mbappé goditi sërish në të 60-ën. El Kaabi i riktheu shpresat vendasve, por pa mundur të shmangte humbjen.
Në “Metropolitano”, Atletico Madrid rrëmbeu një fitore dramatike 2-1 kundër Interit. Julián Álvarez shënoi i pari për vendasit, ndërsa Zielinski barazoi në pjesën e dytë. Kur dukej se takimi po shkonte drejt barazimit, Gimenez goditi me kokë në kohën shtesë, duke i dhënë italianëve humbjen e parë sezonale në Champions League.
Spektakël nuk mungoi as në Paris, ku PSG triumfoi 5-3 ndaj Tottenhamit në një ndeshje me përmbysje, gola dhe ritëm të çmendur.




















