Ylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka folur në një intervistë me gazetarin britanik Piers Morgan për figurat që, sipas tij, kanë ndikim global – mes tyre edhe presidentin amerikan Donald Trump.

“Trump është një nga njerëzit që mund të ndihmojë në ndryshimin e botës”, u shpreh Ronaldo, duke theksuar rëndësinë e liderëve që “luajnë për paqe dhe unitet”.

Kujtojmë se verën e kaluar, futbollisti i Al Nassr i dërgoi Trump-it një fanelë të firmosur me dedikimin “Play for peace”.

Në të njëjtën intervistë, Ronaldo foli edhe për Botërorin e ardhshëm që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, duke habitur me deklaratën se “nuk ëndërron më ta fitojë Kupën e Botës”.

“Si mund të më përcaktojë ajo? Fiton një turne me gjashtë ose shtatë ndeshje… a mendon se kjo është e drejtë?”, tha 39-vjeçari, duke nënvizuar se trashëgimia e tij nuk varet nga një trofe i vetëm.