Janë zbardhur detaje të reja në lidhje me atentatin mafioz të ndodhur mesditën e 11 nëntorit, ku humbi jetën Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur rëndë Muçi Shaljani, agjent i AMP-së.

Sipas ekspertizës paraprake të kryer në Morgun e Tiranës, Dani ka marrë 20 plumba në trup, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 80 gëzhoja. Ndërkohë, Shaljani vijon të jetë në gjendje kritike për jetën në Spitalin e Traumës, i intubuar, pasi ka marrë 10 plumba, mes tyre dy në kokë.

Hetimet kanë zbuluar se automjeti që përdorën autorët, një “Toyota Yaris”, ishte vjedhur në Greqi më 22 tetor 2023, ndërsa targat e saj ishin po ashtu të vjedhura dhe të mbivendosura. Nga kontrolli në automjetin “Benz”, me të cilin udhëtonin viktima dhe agjenti, policia nuk ka gjetur asgjë të paligjshme.

Prokuroria dhe policia po ndjekin disa pista hetimore:

larje hesapesh mes grupeve kriminale rivale,

konflikte të mundshme për fajde financiare,

mosmarrëveshje pronësie mbi disa parcela toke pranë zonës së “Casa Italia”,

dhe përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të kokainës.