Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se bashkitë shqiptare kanë shënuar progres historik në menaxhimin financiar, ofrimin e shërbimeve publike dhe mirëqeverisjen, duke u afruar ndjeshëm me standardet europiane.

Gjatë konferencës ku u prezantua sistemi i matjes së performancës së bashkive, ministri Demo theksoi se “të ardhurat nga burimet e veta të bashkive kanë arritur në 44.4 miliardë lekë në vitin 2024, duke u trefishuar krahasuar me vitin 2015. Të ardhurat nga taksa e pasurisë janë rritur me 84.6%, nga 3.9 miliardë lekë në vitin 2015 në 7.2 miliardë lekë në vitin 2024”, duke e cilësuar këtë një tregues të qartë të administrimit më efikas vendor.

Ai nënvizoi se detyrimet e prapambetura të bashkive janë reduktuar ndjeshëm, nga 12 miliardë lekë në vitin 2015 në vetëm 3.1 miliardë lekë në vitin 2024, duke e cilësuar këtë “një hap të rëndësishëm drejt disiplinës fiskale dhe menaxhimit të shëndoshë financiar”.

Në fushën e shërbimeve publike, Demo veçoi progresin në arsimin parashkollor, ujitje-kullim dhe menaxhimin e mbetjeve:
“Mbulimi i kostos së shërbimit të mbetjeve u rrit nga 68% në 2023 në 83% në 2024, ndërsa raporti fëmijë–mësues në kopshtet dhe çerdhet po i afrohet mesatares së BE-së.”

Duke folur për Grantin Bazuar në Performancë, Demo e përshkroi atë si një instrument transformues për pushtetin vendor:
“Sot, të 61 bashkitë e vendit janë të pajisura me dokumente të planifikimit strategjik dhe gati për projektet e fondeve europiane. Ky mekanizëm nuk është thjesht financim, por një ushtrim real europian.”

Ai njoftoi gjithashtu nisjen e bashkëpunimit me INSTAT dhe institucione të tjera për ngritjen e një sistemi të integruar të të dhënave vendore, i cili do të shërbejë si bazë për vendimmarrje dhe matje të performancës në vite.