Projektbuxheti 2026 shënon një kthesë të rëndësishme në mënyrën si trajtohet pushteti vendor në Shqipëri, duke e pozicionuar atë si hallkë strategjike të zhvillimit ekonomik, social dhe institucional. Gjatë prezantimit në Kuvend, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, theksoi se mbështetja prej 1.2 miliardë euro, ose 3.52% të PBB-së, është më e larta në historinë e financave publike të vendit, duke konfirmuar rolin transformues të bashkive në shërbim të qytetarëve.

“2026 është viti ku pushteti vendor trajtohet si aktor real zhvillimi dhe jo si strukturë periferike. Kjo mbështetje nuk është vetëm financiare, por edhe institucionale dhe teknologjike”, tha Ministri Demo

Transfertat për bashkitë arrijnë në 47.3 miliardë lekë, duke përfshirë transferten e pakushtëzuar, atë sektoriale, rritjen e pagave për administratën vendore dhe grantin e performancës, që shpërblen bashkitë me transparencë dhe eficiencë. Për herë të parë, investimet vendore arrijnë në 1% të PBB-së, duke mundësuar projekte konkrete në infrastrukturë, shërbime sociale, gjelbërim, ndriçim dhe qendra komunitare.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai nënvizoi: “Ky buxhet nuk është thjesht një listë shifrash, por një angazhim politik për qeverisje moderne, transparente dhe europiane.”