Në historinë politike të Shqipërisë pas komunizmit, pak figura kanë ngjallur aq shumë debat sa Fatos Nano. Themelues i Partisë Socialiste dhe disa herë kryeministër, ai mbetet një ndër arkitektët e sistemit politik që kemi sot, një sistem që mbart njëherazi shpresat dhe deformimet e tranzicionit. Karriera e tij është një pasqyrë e përzier, me dritë që nuk mund të mos duket dhe me hije që nuk mund të fshihen.
Drita e Fatos Nanos qëndron në aftësinë e tij për të krijuar një alternativë politike reale ndaj pushtetit të Sali Berishës në vitet ’90-’97. Ai ishte ndër të paktët që solli një diskurs racional, liberal dhe të matur në një klimë politike të polarizuar e të ngarkuar emocionalisht.
Transformimi i Partisë së Punës në Parti Socialiste ishte një akt me rëndësi për jetën politike, një tentativë për ta integruar të majtën shqiptare më pranë modeleve evropiane dhe pse kjo nuk ndodhi kurrë as atëherë as sot. Nano solli gjithashtu një frymë intelektuale dhe urbane në politikë, duke krijuar kontrast me folklorizmin dhe ashpërsinë e politikës së viteve të para të demokracisë.
Por hijet që ndjekin figurën e tij janë po aq domethënëse. Nano shpesh perceptohej si një lider i mbyllur në elitizmin e vet, më shumë filozof i pushtetit sesa reformator dhe ekzekutues i tij. Ishte dogmatik, por jo punëtor në kuptim të angazhimit real në angazhimin poktiko/shtetëror. Gjatë qeverisjes së tij, përpjekjet për modernizim u zëvendësuan nga kompromiset politike dhe klientelizmi. Në vend të një projekti të qartë për shtetin ligjor, mbizotëruan balancat e brendshme partiake dhe pazaret për pushtet. Në këtë kuptim, Nano nuk arriti ta çlirojë Partinë Socialiste nga logjika e tranzicionit, përkundrazi, e institucionalizoi atë si pjesë të një sistemi ku rotacioni ndodhte, por ndryshimi jo.
Përtej nostalgjive politike personale të atyre që e njohën dhe idhëtarëve dhe adhuruesve që e ndoqën dhe e ruajnë me fanatizëm edhe sot në memorie, figura e tij mbetet edhe sot kontradiktore. Një njeri me formim intelektual të thellë, por shpesh me distancë ndaj realitetit social, një lider që fliste për reforma, por që rrallë e imponoi ato, një politikan që dinte si të menaxhonte krizat, por shpesh iu shmang atyre. Në fund, trashëgimia e tij është ajo e një politikani që mundi të mbijetojë, por jo gjithmonë të transformojë. Ai është produkti më tipik i një tranzicioni që nxori liderë të fortë, që krijuan institucione të dobëta.
Nëse Fatos Nano do të kujtohet si arkitekti i së majtës moderne apo si simboli i humbjes së idealizmit të saj, mbetet çështje interpretimi. Por një gjë është e qartë, dritë/hijet në karrierën e tij nuk janë dy faqe të ndara janë pjesë e së njëjtës histori që ende ndikon politikën shqiptare sot, në forma të ndryshme, por në përmbajtje të njëjtë./Javanews




















