Ambasada e SHBA-së në Shqipëri ka uruar qytetarët për Ditën e Pavarësisë, duke përcjellë një mesazh nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Në urimin e tij, Rubio thekson se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara gëzojnë një partneritet të qëndrueshëm, i ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.

Ai nënvizon gjithashtu se bashkëpunimi mes SHBA-së dhe forcave ligjzbatuese shqiptare kontribuon në rritjen e sigurisë së qytetarëve të të dy vendeve, ndërsa përballen me kërcënimet që vijnë nga grupet kriminale ndërkombëtare, kartelet e trafikut të drogës dhe bashkëpunëtorët e tyre.

“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt e të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë reciproke dhe ne e mirëpresim investimin e shtuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët.

Gjithashtu, partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt teksa ne përballemi me kërcënimet që paraqiten prej grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës, si dhe atyre që bashkëpunojnë me ta. Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike, si dhe përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj domethënës në sigurinë kibernetike.

Teksa shënojmë këtë ditë të veçantë, ne presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.” – Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio me rastin e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.