Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, po merr pjesë në Asamblenë e 93-të të INTERPOL-it në Marrakesh, Marok, një ngjarje ku marrin pjesë drejtues të policive nga 196 vende të botës.

Gjatë ditës së sotme, Proda së bashku me delegacionin që e shoqëron, përfshirë Drejtuesin e Lartë Pëllumb Seferi dhe Drejtuesin Ulian Shpataraku, po marrin pjesë në procesin e votimit për zgjedhjen e presidentit të ri të INTERPOL-it, zëvendëspresidentit dhe delegatëve për Komitetin Ekzekutiv.

Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it zhvillohet një herë në vit dhe ka rol vendimtar në politikën e përgjithshme të organizatës, vendosjen e burimeve për bashkëpunimin ndërkombëtar, përcaktimin e metodave të punës dhe menaxhimin e financave.