Drejtuesja Politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka vijuar takimet publike me banorët e Njësisë 8 dhe 9, në kuadër të turit të dëgjesave me qytetarët e Tiranës për prezantimin buxhetit të vitit 2026 për Tiranën dhe Shqipërinë.
“Jemi këtu për të biseduar për Buxhetin 2026, por mbi të gjitha për të adresuar shqetësimet tuaja që jo vetëm i kemi në vëmendje por i kemi adresuar dhe i adresojnë vit pas viti në buxhetet tona dhe të flasim konkretisht sesi u kemi gjetur zgjidhje dhe cilat janë projektet dhe prioritetet për Buxhetin 2026”, tha Drejtuesja Politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu.
Manastirliu u ndal te projektet që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës në lagje dhe rikthimin e hapësirave publike te komuniteti. “Për ne çdo ditë e vitit është një fushatë komunikimi me banorët, me komunitetet, me të gjithë ata qytetarë që duan ta shohin qytetin edhe më të zhvilluar dhe duan të prekin këto investime në lagjen, në rrugën, në vendin ku banojnë. Kemi nisur një operacion për çlirimin e hapësirave publike, i cili po vijon me intensitet në të gjithë Tiranën, duke krijuar mundësi që tashmë të kemi në dispozicion të projekteve rreth 100 mijë metra katrorë hapësirë publike. Janë më shumë se 1000 hapësira, janë 1000 mundësi për t’u shfrytëzuar në funksion të komunitetit, për më shumë kënde lojërash për fëmijët, për më shumë hapësira çlodhëse për të moshuarit, për më shumë hapësira dhe kënde sportive në lagje.”, tha Manastirliu.
Në takim, Drejtuesja Politike e Partisë Socialiste për Tiranën ndau gjithashtu projektin e “super blloqeve”, që synon transformimin urban të lagjeve, rritjen e sigurisë dhe zgjerimin e hapësirave publike të aksesueshme për të gjithë banorët. Ajo theksoi edhe rëndësinë e përmirësimit të transportit publik.
Dëgjesat për buxhetin do të vijojnë edhe në njësitë e tjera të kryeqytetit, me fokus te prioritetet që lidhen drejtpërdrejt me komunitetin dhe përmirësimin e jetës urbane.




















