Drita dhe Shkëndija përballen sot në raundin e katërt të fazës së ligës së Conference League. Shorti e deshi që përballja e shqiptarëve të luhej në vigjilje të 113 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Sfida do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe pritet të sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme, teksa janë shitur afro 10 mijë bileta për sot në orën 21:00. Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës kanë bërë paraqitje pozitive në këtë kompeticion dhe dueli pritet me interes.

Në prag të ndeshjes, trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, ka folur për mediat duke vlerësuar kundërshtarin dhe rëndësinë e kësaj sfide.

“Përgatitemi si për çdo ndeshje tjetër, me analizë të kujdesshme dhe respekt maksimal për kundërshtarin, edhe pse bëhet fjalë për një duel historik. Për ne dhe futbollistët është një festë futbolli, dhe besoj se do të kemi spektakël në fushë dhe në tribuna.

Ta shijojmë së bashku këtë ndeshje si shqiptarë dhe vëllezër të vërtetë. Le të fitojë më i miri dhe ekipi që do të ketë më shumë fat sportiv”, tha trajneri i Shkëndijës.

Pas tre takimeve në Conference League, Drita me një fitore dhe dy barazime mban vendin e 13-të me pesë pikë, ndërsa Shkëndija me katër pikë ndodhet në pozitën 21.