Ish-kandidati i Partisë Demokratike për deputet në zgjedhjet e 11 majit, Ilir Alimehmeti, tha sot se opozita nuk duhet të mjaftohet vetëm me denoncimet si në rastin e Belinda Ballukut, por të vazhdojë edhe me protesta të pandërprera antiqeveritare në rrugë dhe aksion të vazhdueshëm.

Ai u shpreh se tashmë Balluku është kapitull i mbyllur, pasi SPAK i ka provat, por opozita duhet të gjejë rrugët dhe të dalë si alternativë qeverisëse.

“SPAK i qartë, i ka provat ndaj Ballukut. Unë mendoj se vendimi i GJKKO për pezullimin duhet të ishte zbatuar. SPAK ka prova, Balluku tashmë është kapitull i mbyllur. Ajo duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Në fillim kryeministri ta pezullonte e pastaj të ankimonte në Kushtetuese, GJKKO e ka pezulluar nga detyra dhe vendimi duhet të zbatohej. Kanë futur duart në taksat e popullit”, u shpreh ai për çështjen Balluku..

Kurse për alternativat opozitare ndau disa mendime dhe komente se si duhet të veprohet, ku vuri theksin te krijimi i frymës.

“Opozita bëri foltore para kryeministrisë. Por protestat duhet të jenë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Ne kemi një qëndrim grupi dhe një vendim. Nuk është vetëm opozita, por është edhe puna e organizimi për të qenë alternative qeverisëse. Kjo do të thotë që të frymëzosh edhe njerëzit, opozita duhet të jetë e vazhdueshme, e shkëlqyer dhe me alternativa, me veprime të forta. Nuk mjafton vetëm denoncimi, duhet të ketë edhe aksione në rrugë, unë për këtë jam”, tha Alimehmeti.

Anëtari i selisë blu nënvizoi se edhe formati i foltores para Kryeministrisë duhet të jetë më i qartë. Ai kërkoi që opozita të ketë frymë dhe të riorganizohet, që qytetarët të mos kenë dyshime të figurat e saj.

“Formati i parë i protestës ishte i paqartë, kohëzgjatja, aksioni, unë jam për ato të vazhdueshme. Kjo për të ngritur frymën opozitare dhe për të ngritur kualitetin dhe alternativën qeverisëse. PD i ka të gjitha mundësitë për të qenë alternativë qeverisëse por ka nevojë për një riorganizim. Nuk ka numrat opozita por është e mundshme alternativa, por Rama është i mundshëm dhe ndaj mendoj se duhet riorganizim strukturash me të gjithë individët. Qytetarët nuk duhet të kenë dyshime të figurat tona kur të përballemi me ta e të kërkojmë ndjekjen prej tyre si alternativë”, tha ai.