Nga Eduard Zaloshnja
Në tri bashkitë e vogla ku u zhvilluan dje zgjedhje të parakohshme lokale (Mat, Cërrik, Tepelenë), pjesëmarrja dhe rezultatet ishin të ngjashme me ato të para dy vjetëve, kur atje u zhvilluan zgjedhjet bashkiake. Kurse në dy bashkitë e mëdha – Vlorë dhe Berat – pjesëmarrja dhe rezultatet shënuan ndryshime dramatike për opozitën.
Është e vërtetë se pothuaj 60% e zgjedhësve të Bashkisë Vlorë janë në emigracion, por fakti që vetëm 12% e zgjedhësve të listës morën pjesë dje në votim tregon se shumë pak prej tyre shpresonin për ndryshim. Gjë që vërtetohet edhe nga fakti se kandidati i mbështetur nga PD-ja siguroi vetëm 1/10 e votave të atyre vlonjatëve që e morën mundimin të votnin…
Është e vërtetë se mbi 37% e zgjedhësve të Bashkisë Berat janë në emigracion, por fakti që vetëm 20% e zgjedhësve të listës morën pjesë dje në votim tregon se shumë pak prej tyre shpresonin për ndryshim. Gjë që vërtetohet edhe nga fakti se kandidati i mbështetur nga PD-ja nuk siguroi dot as 2/10 e votave të atyre beratasve që e morën mundimin të votnin…
Dhe si mund të shpjegohen këto dy gropa të rënda elektorale të PD-së në Vlorë dhe Berat, pas disfatës së përgjithshme të saj të 11 majit? Përveç rënies së kuotave kombëtare të PD-së (që i kam evidentuar tashmë në sondazhet ‘Zëri i Shqiptarëve’), në Vlorë dhe Berat kishte edhe faktorë lokalë.
Kështu në Vlorë, patëm zhvillime të forta politike. Drejtuesi politik i PD-së në Qarkun Vlorë dha dorëheqjen publike vetëm pak ditë para zgjedhjeve atje, ndërkohë që drejtues lokalë të PD-së në Vlorë u tërhoqën pa shumë zhurmë mediatike. Pra, kandidati i mbështetur nga PD-ja mbeti praktikisht i pambështetur në terren në ditët kulminante të fushatës. Ndërkohë që socialistët punuan për t’i çuar votuesit e tyre tradicionalë në kutitë e votimit…
Në Berat nuk kishte ndonjë zhvillim të fortë politik, por javën e fundit u zbeh fare mbështetja në terren për kandidatin e mbështetur nominalisht nga PD-ja. Ndoshta të parapërgatitur për një humbje të thellë, drejtuesit beratas të PD-së u shmangën nga daljet publike në krah të kandidatit që kishte garuar para dy vjetësh si rival i tyre minor…
Nuk pritej që PD-ja të fitonte apo të ishte konkuruese dje në Vlorë dhe Berat, por gropa gjigante elektorale që ajo krijoi atje i zhyt edhe më thellë shpresat se një ditë PD-ja mund të rikthehet konkuruese në nivel kombëtar…




















