Gazetari italian dhe kuratori i muzeut Bunk’Art, Carlo Bollino, pati fjalën hapëse në çeljen e ekspozitës “Besa” në “Bunk’Art 2”, e cila në fokus ka 12 histori mbresëlënëse, të strehimit dhe shpëtimit të jetës së hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.
Bollino tha se shpëtimi i mijëra hebrenjeve nga shqiptarët gjatë regjimit nazist është një pjesë e dalluar e historisë së vendit tonë. Duke theksuar përkushtimin në ngritjen e ekspozitës “Besa”, gazetari italian u shpreh se aktivitete të tilla dhe muzetë në përgjithësi duhet të kurohen në mënyrë sa më të kujdesshme për të përcjellë ndët breza dhe vizitorë historinë e vërtetë pa deformime.
“Shpëtimi i mijëra hebrenjve nga sundimi, nga lufta nga sistemi vrastar i pushtuesve nazistë gjatë viteve ’43-’44. Unë jam Carlo Bollino gazetar italian, kurator i muzeut të Bunk’Art. Këtu sot me ne për të kujtuar këtë ditë të jashtëzakonshme, këtë event të jashtëzakonshëm, kemi nderin të kemi në sallë 7 përfaqësues të atyre familjeve, që para 60 viteve kanë shpëtuar hebrejtë nga persekutimi nazist. Janë këtu me ne, janë mbledhur nga shoqata e miqësisë shqiptaro-izraelite, që unë i falënderoj. Janë njerëz të nderuar nga muzeu “Yad Vashem” me titull nderi për të gjithë të huajt që kanë shpëtuar hebrejtë. Muzeu “Yad Vashem” në Jerusalem ka bashkëpunuar për realimin e kësaj ekspozite. Ata vetë janë nderuar edhe si Nderi i Kombit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Unë i falënderoj për prezencën e tyre. Ky episod ka qenë i jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Ka qenë episod i jashtëzakonshëm për historinë në përgjithësi.
Unë si kurator i një muze kam bindjen se historinë duhet ta kujtojmë gjithmonë, ndonjë herë për të mos përsëritur gabimet e bëra, ndonjë për të marrë shembujt e mirë që vijnë nga historia. Ky është nga rastet e rralla ku historia na ka treguar një shembull të jashtëzakonshëm. Që është një shembull unik dhe tmerrësisht aktual. Mos harrojmë që hebrejtë që janë shpëtuar nga shqiptarët që janë shpëtuar nga shqiptarët në kohën e pushtimit nazist ishin pothuajse të gjithë emigrantë nga vendet fqinje ku sistemet naziste në bashkëpunim me qeveritë e atyre vendeve atje i kanë persekutuar dhe kanë kryer një masakër. Këta hebrenj kanë ardhur si emigrantë në Shqipëri duke gjetur strehim dhe mbrojtje nga popullata dhe qytetarët. Janë strehuar dhe mbrojtur në emër të një fjale që quhet besa, e cila është aktuale dhe sot. Fjala besa mund të përkthehet në shumë gjuhë të huaj jo vetëm shqip, sot kemi mijëra dhe miliona emigrantë të tjerë që lëvizin nëpër botë duke kërkuar të njëjtën mikpritje që shqiptarët e kanë ofruar”,- tha ndër të tjera Bollino.




















