Kur një vendim gjykate liron të dënuar përjetë, ndërsa të tjerë vuajnë dënime të plota për krime më të lehta, mesazhi që përcillet është i qartë: drejtësia funksionon ndryshe në varësi të emrit dhe lidhjeve të të dënuarit.
Një prej personazheve të liruar është Gerd Gjinerari, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e “të fortit” të Tiranës, Naim Zyberi, ngjarje e ndodhur në Itali.
Gjykata mbështeti vendimin e saj në një raport të thelluar të Shërbimit të Provës dhe një vlerësimi të sjelljes së tij gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit. Raporti nga burgu përmend angazhimin e Gjinerarit në aktivitete rehabilituese, përfshirë edukimin dhe pjesëmarrjen aktive në proceset e grupit të mbikëqyrjes.
Një tjetër komponent i rëndësishëm që ndikoi në vendimin e gjykatës ishte fakti që Gjinerari ka arritur të stabilizojë marrëdhëniet me familjen e viktimës dhe ka shprehur pendesë për veprën e tij.
Por, vendimi për liri, u konsiderua gjerësisht si i dyshimtë dhe me shkelje. Për këtë Inspektori i Lartë i Drejtësisë nisi një hetim disiplinor ndaj gjyqtarit Markeljan Kuqo, i cili kishte aprovuar lirimin.
ILD u vu në lëvizje pasi sipas ligjit, Gerd Gjinerari nuk plotësonte asnjë nga kushtet për të përfituar nga lirimi me kusht. Ai ishte një i dënuar për vepra penale të rënda dhe ishte përsëritës, kriter ky që e bënte të papërshtatshëm për një lehtësim të mundshëm të dënimit. Përveç kësaj, vendimi për lirimin e tij ishte në kundërshtim me provat që ishin administruar gjatë procesit gjyqësor dhe me rrethanat që kishin dalë në dritë.
“Është e rëndësishme të theksoj efikasitetin e masin standardet jo numrat. Por edhe standardet e nisjes së hetimit disiplinor. Ka një debat ndoshta edhe për çështjen e nisjes se hetimit disiplinor me nismë nga ILD, për shkak të publikimeve në media, ka ndodhur në disa raste që ILD ka nisur hetim për këto shkaqe. Ka ndodhur prapë që për shkak të këtyre hetimeve ka përfunduar me procedim disiplinor në këshillat përkatës të jenë marrë dhe masa”, u shpreh Artur Metani.
Sipas verifikimeve të kryera, gjyqtari kishte shpërfillur edhe praktikën e tij të mëparshme në trajtimin e kërkesave të ngjashme, duke dhënë një vendim të gabuar që krijoi një precedent të rrezikshëm për sistemin e drejtësisë.
Pas gjashtë muajsh, vendimi i lirimit të Gerd Gjinerarit u rrëzua nga Gjykata e Apelit të Korçës, por ai nuk u rikthye kurrë pas hekurave, pasi kishte humbur çdo gjurmë, duke mos u paraqitur asnjë ditë as në Shërbimin e Provës. Edhe sot ai vijon të jetë ende në arrati.
Sipas ILD-së ky rast ngriti një sërë shqetësimesh, jo vetëm për mënyrën e trajtimit të çështjes në Gjykatën e Korçës, por edhe për cilësinë e vendimeve në të ardhmen. Rasti mund të merrej si referim nga magjistratët e tjerë për të marrë vendime të ngjashme pa respektuar ligjin dhe rregullat.
“Përpara disa vitesh të paktën 2 vjet me parë ne kishim një urdhër të ministrit të drejtësisë në fuqi që vlerësimet e sjelljes që harron stafi i burgjeve duhet të miratohen Ministri i Drejtësisë pra ai ishte një filter i dytë përveç vlerësimit që bën stafi duhet të kalonin edhe nga një ekip, nga një komision në Ministri. Kjo ishte një lloj filtri pikërisht për te shmangur nga ana e stafit keqpërdorim të funksioneve te detyrës, vlerësime të pamerituara dhe vlerësime subjektive”, u shpreh zv. drejtori i burgjeve, Fehmi Sufaj.
“Dhënia e me shume te drejtave të karakterit ekzekutiv autoritetit të burgjeve është një version i pranueshëm në mënyrë të konceptuari të rregullimit ligjor ekzekutivo-penal. Jam dakord që ti jepen tagra me shume burgjeve. Çka nuk e ç’bën edhe rolin e gjykatës”, u shpreh avokati Ardian Visha.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka evidentuar një sërë shkeljesh të rënda nga ana e gjyqtarit Kuqo. Ato përfshijnë një zbatim të gabuar të ligjit material dhe procedurial, referenca kontradiktore që nuk përputheshin me provat dhe faktet e administruara gjatë procesit gjyqësor, si dhe një mosrespektim të kritereve ndaluese të lirimit me kusht. Kritere të qarta për ata të dënuar për krime të rënda, veçanërisht për përsëritësit.
Në përfundim të hetimit, ILD kërkoi që Këshilli i Lartë Gjyqësor të merrte masat e duhura dhe të fillonte procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit Markeljan Kuqo për shkeljet që ai kishte kryer. Gjyqtari Kuqo është akuzuar për shkelje shumë të rënda disiplinore, të cilat diskreditojnë pozitën dhe figurën e tij si magjistrat dhe e bëjnë të papërshtatshëm për të vazhduar detyrën e tij. Në fund, ai u shkarkua nga detyra.
Më 11 qershor 2020, në një atentat mafioz u ekzekutua në zonën e Komunës së Parisit, Hekuran Billa, i liruar nga burgu 1 vit përpara ekzekutimit. Kjo ngjarje, është dëshmi e fortë e një prej pasojave që sjell procesi i dyshimtë i lirimeve me kusht.
Kur vendimet jepen pa meritë dhe pa përgjegjësi, nuk janë një mundësi për rehabilitim. Janë një lojë fati, ku shpesh humbja është e pashmangshme. Billa ishte një nga ata që përfitoi nga ky sistem, por për të, kjo nuk ishte një dhuratë, ishte një dënim i maskuar si liri.
Po të mos ishte liruar nga burgu, Hekuran Billa sot mund të ishte ende gjallë. Ndoshta pas hekurave, por ende në jetë. Fati i tij nuk do të ishte vulosur nga plumbat, por nga drejtësia që dikur i dha një dënim të përjetshëm. Një vendim gjyqësor dhe një prokuror që zgjodhi të heshtë i dhanë mundësinë të dilte i lirë. Një hap që e çoi drejt vdekjes.
“Ndërkohë qe ne nuk kemi parë ndonjëherë qe në burgje të këtë persona adapt profesionista, të cilët mund me të vërtetë të tregojnë sjelljet dhe reagimin pozitiv që duhet të kenë nesër pasnesër në shoqëri, individë të caktuar që janë nëpër ato institucione siç mund të ishin p.sh ekspertë antropologë të cilët studiojnë sjelljet e njerëzve dhe të na jepnin një databaze të saktë te këtyre personave”, u shpreh avokati Bledar Meminaj.
Në vendimin e marrë në shkurt të vitit 2019 nga gjyqtarja e Krujës Enkeleda Hoxha, argumentohej se viktima kishte sjellje të mirë në burg, kishte kryer një pjesë të dënimit si dhe nuk kishte asnjë masë disiplinore. Ai konsiderohej i gatshëm për riintegrimin në shoqëri.
Por, një vit më vonë, Hekuran Billa u ekzekutua në mes të Tiranës, në një atentat të mirëorganizuar. Fati e kishte ndjekur deri në atë moment, por nuk mundi ta mbrojë më.
Hetimet që pasuan këtë ngjarje zbuluan se lirimi i Billës nuk ishte një vendim i zakonshëm, por një skandal i drejtësisë. Inspektori i Lartë i Drejtësisë nisi një hetim disiplinor ndaj gjyqtares dhe prokurorit.
“Në asnjë rast ILD nuk mund të marrë as kompetencën e Kuvendit në kuptimin e ushtrimit të pushtetit legjislativ, por as pushtetin ose funksionin e gjykatave apo prokurorive. Unë mendoj që ILD me këtë tematikë inspektimi ia ka dalë më së miri pasi rekomandimet e bërë përfshi edhe ato për Gjykatën e Lartë dhe identifikimi i shkeljeve të magjistratëve ka bërë që sot që gjyqtare e prokurorë të jenë më të kujdesshëm në zbatimin e këtij instituti”, u shpreh Artur Metani.
Dokumentet të siguruara nga Inside Story tregojnë se procesi i lirimit të Hekuran Billës nga burgu ishte shoqëruar me një seri shkeljesh ligjore. Referuar hetimit disiplinor, një rol kyç kishte prokurori Bujar Memia i cili nuk kishte ushtruar asnjë ankimim kundër vendimit të gjykatës për lirimin me kusht të Billës.
Nga hetimi disiplinor i kryer nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë u provua se: Prokurori Bujar Memia nuk e kundërshtoi lirimin e Billës, edhe pse ky i fundit kishte qenë i dënuar me burgim të përjetshëm për një vrasje në Britaninë e Madhe./Inside Story




















