Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan këtë të hënë ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Ata kanë diskutuar propozimin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Putin tha se propozimi i SHBA-së për Ukrainën mund të formojë bazën për një zgjidhje paqësore.
Presidenti rus tha gjithashtu se Rusia ka riafirmuar angazhimin e saj për një zgjidhje politike dhe diplomatike të konfliktit. Nga ana tjetër Erdogan i tha Putinit se Turqia është e gatshme të mbështesë procesin e paqes, duke sugjeruar Stambollin si një vend për negociata.
Plani amerikan me 28 pika për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili u bë publik disa ditë më parë, dhe kundërpropozimet e paraqitura nga evropianët pas kontakteve që patën dje në Gjenevë me ukrainasit dhe amerikanët, e kanë rikthyer tani në qendër të zhvillimeve perspektivën e negociatave për paqe.




















