A do të ketë zgjedhje në bashkinë e Tiranës apo jo? E ardhmja e drejtimit të kryeqytetit është në duart e Gjykatës Kushtetuese, nëse do të vendosë për të pasur kryetarin që udhëheq nga burgu, apo lejimin e garës mes Ogerta Manastirliut, Florian Binajt dhe Arlind Qorit.

Pas përfundimit të seancës publike 7 orësh ku u ballafaquan përballë gjyqtarëve, Erion Veliaj me qeverinë e presidencën për shkarkimin nga detyra si kryebashkiak, Kushtetuesja duhet të shpall brenda 30 ditëve sipas ligjit vendimin e arsyetuar.

Ndërkohë Top Channel mëson se për shkak të interesit të çështjes, komunikimi mbi vendimmarrjen e fatit të Bashkisë së Tiranës pritet të realizohet në fillim të javës. Veliaj i kërkoi gjykatës kushtetuese të shfuqizojë dekretin e presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 9 nëntor në Tiranë dhe të mos njoh vendimin e shkarkimit, ndërsa paraprakisht u pezulluan zgjedhjet.

Pyetja është si do të vendosin gjyqtarët në vijim? Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese ka tre mundësi në tavolinë: ose të rrëzojë Erion Veliajn, ose të pranojë kërkesën e tij tërësisht ose opsioni i pranimit pjesërisht. Në analizën e Top Channel mbi fatin e bashkisë së Tiranës, opsioni i tretë hidhet poshtë për sa kohë dy kërkesat e Veliajt janë të lidhura me njëra tjetrën.

Nëse pranohet plotësisht pretendimi i kryetarit të shkarkuar, Veliaj do të rikthehet në detyrë edhe pse me pranga dhe zgjedhjet do të anulohen. Dhe nëse gjyqtarët vendosin me shumicë votash apo njëzëri të rrëzojnë kërkesën e Erion Veliajt, në Tiranë do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.

Por e sigurt që jo në 9 nëntor, siç dekretoi presidenti Bajram Begaj. Juristi i tij deklaroi gjatë seancës se kompetenca e presidencës është ezauruar për një datë të re zgjedhjesh. Ndaj Gjykata Kushtetuese duhet të vendos në gjykimin e tyre edhe për kohën kur do të votohet në kryeqytet.

“Në rast se ju rrëzoni kërkesën duhet të merrni masat që zgjedhjet në Tiranë të zhvillohen pas hyrjes në fuqi të vendimit tuaj që kodi zgjedhor përcakton afatin 30 ditë minimumi deri në 45 ditë për të vendosur datën e re të zgjedhjeve”, u shpreh Ilir Rusmailit.

Po të llogarisim afatet në rast se vendoset për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë, atëherë periudha më e afërt e mundshme shihet muaji dhjetor, por nëse shkojmë në maksimum të afatit ligjor, data më e largët pritet të jetë 14 janari. Megjithëse duhet edhe pak durim për të ditur nëse zgjedhjet e parakohshme të Tiranës do të zhvillohen./Top Channel