Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit këtë të mërkurë në ambientet e SPAK, ku dha dëshmi në lidhje me hetimet për ngjarjet e “21 Janarit”, ku humbën jetën katër protestues. Ndërkohë, ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi, në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, deklaroi se SPAK “po përpiqet më në fund të zbulojë të vërtetën”, duke ngritur pyetje mbi zinxhirin komandues dhe mbi atë që ai e cilësoi si urdhër për hapjen e zjarrit ndaj protestuesve.

Klosi akuzoi ish-kryeministrin Berisha se kishte rol vendimtar në menaxhimin e situatës së asaj dite, ndërsa theksoi se sipas tij ngjarja tragjike “ka qenë e programuar”. Ai kërkoi zbardhje të plotë të urdhrave të dhënë dhe të gjithçkaje që lidhet me prishjen e serverit të Kryeministrisë, duke nënvizuar se drejtësia për 21 janarin “nuk duhet të lihet në harresë”.

“Më në fund SPAK po përpiqet të zbulojë të vërtetën. Problemi i vërtetë është se kush urdhëroi që të qëllojë mbi turmën. Garda, policia, institucionet për mbrojtjen e rendit e kanë shumë të qartë se si përdoret arma që ata kanë me vete. Është absolutisht e palogjikshme, Garda nuk merr vendime vetë, nuk qëllon pa urdhër. Besoj se është një urdhër nga shumë lart.

U mbajtën tre ditë mbyllur në kryeministri punonjësit e Gardës, dhe e dimë shumë se çfarë do jetë folur për ta kamufluar. Pritej që ajo protestë të ishte pak më e ashpër se të tjerat. Protesta nuk ka qenë e dhunshme. Për më tepër që ngjarja tragjike ndodhi, ku u vranë 4 veta, ndodhi në momentin që protesta po përfundonte. Vrasja ka qenë e programuar. Nuk kishte asnjë arsye për të qëlluar. Berisha e bëri këtë, që të tregonte se e ‘bën zap këtë popull’. Berisha e shfrytëzoi këtë rast. Vrasjet ishin të programuara. Jam dëshmitar. Berisha e bëri që të demonstronte se e ka në dorë sigurinë.

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha nuk kishte këllqe që ta bënte këtë gjë. E rëndësishme është se kush urdhëroi, dhe kush urdhëroi që të prishej serveri i Kryeministrisë. Vetëm Berisha kishte guximi për të prishur provat. Asgjë nuk fshihet dot. Edhe nëse nuk janë provat, janë njerëzit. Nuk duhet të lodhemi kurrë për të vënë drejtësinë për këtë gjë të rëndë. Më të rëndën e kësaj demokracie. Protestuesit nuk ishin të armatosur”, tha Klosi.